Familjarët e Shpresa Canit, 48-vjeçares e cila humbi jetën në ambientet e Bashkisë së Lushnjes, shprehen të tronditur nga ngjarja. Duke folur për gazetarët, tezet e hallat e saj pohojnë se mbesa kishte shkuar për të bërë letrat e Kemp-it sepse vuante nga drepanocitoza, një sëmundje gjaku.https://www.youtube.com/embed/Hr7b3G1ly5k
“Erdha mbrëmë tek shtëpia këtu, më thanë Shpresës i ka rënë infarkt. Po si i ka rënë, tezja nuk di gjë. Në Bashki kishte vajtur për të bërë letrat (për ndihmë ekonomike). Atje kishte rënë te dera”, rrëfeu tezja e 48-vjeçares.
“U nis me këmbët e veta dhe erdhi me arkivol. Te bashkia kishte vajtur për të bërë letrat e Kempit. Atje ra, mbaroi”.
“Ishte anemike, ishte e sëmurë prej vitesh. Merrte gjak prej vitesh”, rrëfen më tej tezja e saj.
“Iku, bëri punët këtu, lau, shpëlau. Kur thanë iku vdiq atje, ne u habitëm. Vdekje e papritur”.
Familjarët tregojnë se ajo kishte shkuar vetëm tek bashkia. 48-vjeçarja mësohet se jetonte me të atin, i cili është invalid. Paraprakisht dyshohet se ajo humbi jetën për shkaqe natyrale, megjithatë do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.
Gazetarja Anila Sefa thotë se Shpresa Cani u varros këtë të enjte në orën 11:00, në varrezat e fshatit Thanë. Ngjarja në fjalë mësohet se ndodhi një ditë më parë, por lajmi u bë publik këtë të enjte./tvklan.al