Ballina Lajme U kapën me mbi 580 kg kokainë në Greqi, Prokuroria e Fierit...

U kapën me mbi 580 kg kokainë në Greqi, Prokuroria e Fierit sekuestron pasuritë e çiftit Xhafaj

33

Prokuroria Fier ka sekuestruar pasuritë e çiftit shqiptar,  Arjan dhe Lutmira Xhafaj, të arrestuar me mbi 580 kg lëndë narkotike kokainë në Greqi.

Prokuroria e Fierit njofton se çifti, banues në Fier, i cili u kap me mbi 580 kg lëndë narkotike në Greqi ka pastruar në Shqipëri të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Nën sekuestro është vënë një truall me sipërfaqe 300 m2 dhe një sipërfaqe ndërtese 110.70 m2 në Vlorë, 40 mijë euro dhe një automjet i markës “Volswagen”.

Njoftimi i prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.1523, datë 02.11.2023, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Ky procedim penal ka filluar mbi bazën e informacioneve të publikuara në media dhe verifikimeve të kryera, sipas të cilave njoftohen të dhëna se shtetasit A. Xh. dhe L. Xh., me banim në Fier, janë arrestuar në Greqi për kapjen e 585 kg e 208 gramë lëndë narkotike “kokainë” dhe dyshohet se kanë pastruar në vendin tonë të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Nga veprimet hetimore të kryera në dinamikë në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shkëmbimit të informacionit me organet e tjera ligjzbatuese, si dhe analizimit e kryqëzimin të të dhënave të administruara, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka kërkuar në Gjykatë sekuestrimin e pasurive të dyshuara me prejardhje nga veprimtaria kriminale të shtetasve A.X. e L.Xh, si më poshtë:

– Pasuri e paluajtshme nr. 24/198, vol. 30, fq. 230, lloji “truall” me sipërfaqe 300 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 110.70 m2, ndodhur në Vlorë;

– Shuma monetare 40,000 Euro; dhe

– Automjet i markës “Volswagen”, model “Golf”, viti i prodhimit 2010.

Së bashku me çiftin Xhafaj u arrestuan dhe 4 persona të tjerë.

Arjan Neki Xhafaj, Ilirian Shpetim Baraj, Klevis Arben Muskaj, Avelino Alfred Feimi. Këta shtetas janë nga Cakrani i Fierit dhe nga Vlora.

Kreu i grupit ishte Arjan Xhafaj, i cili rezulton punonjës i Zjarrfikëses në Shqipëri. Ai ka thënë para gjykatës greke se do të paguhej 50 mijë euro për transportin e kokainës, ndërsa bashkëshortja e tij ka mohuar çdo pjesmarrje në ngjarje.

Mediat e huaja shkruajnë se një pjesë e madhe e kokainës do të përfundonte në Shqipëri dhe prej andej do të promovohej në Europë, ndërsa një pjesë më e vogël e së njëjtës seri synohej për tregun grek./Albeu.com