33 vjeçari Enrik Proda, i arrestuar ditën e sotme në Qeparo pasi u kap me lëndë narkotike në makinë, është ndaluar edhe më herët për ngjarjen e 12 Shtatorit 2022 në Sarandë.
Proda në bashkëpunim me një tjetër person dhunuan shtetasin Elidon Kushova në një bar restorant në qytetin bregdetar.
Policia e Sarandës zbuloi autorët përmes pamjeve të kamerave të sigurisë dhe arrestoi 41 vjeçarin Armando Hako, 33 vjeçarin Enrik Prodën dhe babin e këtij të fundit, i cili më pas u lirua.
Gjykata e Sarandës pak ditë më pas liroi dhe Enrik Prodën dhe i caktoi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Kujtojmë që 33 vjeçari u arrestua pasi u kap në flagrancë me lëndë narkotike në makinë. 33 vjeçari ka tentuar të largohet për të shmangur kontrollin e automjeti nga shërbimet e policisë, por falë ndërhyrjes së menjëhershme nga ana e tyre, është bërë e mundur kapja e tij dhe vënia në pranga.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, iu gjetën 9 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me 2 aparate celulare.
Siç njoftoi policia më herët gjatë ditës së sotme, dyshohet se lënda narkotike do të shitej me qëllim trafikimin drejt Greqisë.
Nga verifikimet e kryera, rezultoi se ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.