Ballina Lajme U dhunua nga tre persona në Tepelenë, mësuesi i fiskulturës: Nuk e...

U dhunua nga tre persona në Tepelenë, mësuesi i fiskulturës: Nuk e kuptoj pse më rrahën

2

Ka folur për mediat mësuesi i Edukimit Fizik në Tepelenë, 59 vjeçari Kleanth Laçi i cili u dhunua pasditen e djeshme nga persona të paidnetifikuar.

Ai tha se ngjarja kishte nisur që në momentin kur kishte dalë nga shtëpia dhe tre persona me një makinë e ftuan për të pirë një kafe.

Laçi tha se përveç markës së makinës tip ‘Audi’ nuk mbante mend të dhëna të tjera, ndërsa tha se në momentin që makina u largua në një distancë të konsiderueshme nga shtëpia e tij, tre personat e paidentifikuar e goditën në mënyrë të papritur.

 “Nisi që nga shtëpia. Hipa në makinë pa i njohur si persona por më pëlqyen se më tha profesor njëri dhe më tha do të qeras me një kafe. Në makinë më çuan në një rrugë jo kryesore, larg shtëpisë time dhe aty pastaj më goditën me grusht. Ishin tre persona, shoferi dhe dy të tjerë. Targat nuk i mbaj mend por më duket se makina ishte e llojit ‘Audi’. Unë nuk di të kem pasur konflikt me njeri, nuk më thanë gjë, më goditën papritur. Unë hipa në makinë se më thanë do të qerasim me një kafe. Në momentin e goditjes së parë dola nga makina. Personat ishin të moshave të ndryshme. Unë u përmenda që në moment, u futa në një vend sa të pastrohesha dhe më pas mora një taksi”- u shpreh Laçi.

59 vjeçari tha se ishte hera e parë që i shihte tre personat të cilët në momentin kur e ftuan për kafe e kishin thirru ‘profesor’. Mësuesi tha mes të tjerash se nuk kishte asnjë konflikt me asnjë person dhe ende nuk po e kuptonte arsyen e dhunës së ushtruar ndaj tij.

“Nuk kam pasur asnjë konflikt më përpara. Hera e parë që i shihja si persona, nuk i njihja fare. Akoma nuk po arrij të kuptoj se përse më rrahën”-përfundoi 59 vjeçari.  

Ndërkohë policia e Tepelenës vijon hetimet për identifikimin e tre personave të cilët dyshohet të kenë dhunuar Kleanth Laçin. Mësohet se janë sekuestruar kamerat e sigurisë përreth zonës ku ka ndodhur dhunimi në mënyrë që të zbardhet ngjarja.