Të dashur bashkëkombës kudo që jetoni e punoni: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Diasporën e afërt dhe të largët nga Shteteta e Bashkuara e deri në Australi. Ju urojmë përzemërsisht: Gëzuar 28 Nëntorin, fetën e pavarësisë, ditë në të cilën përjetojmë emocionet e mëdha të 110-vjetorit të Shqipërisë së pavarur.
Në kujtesën tonë historike kjo datë lidhet me aktin e shpalljes së pavarësisë nga Ismail Qemali dhe gjithë patriotët shqiptarë. Kjo erdhi si vazhdim i përpjekjeve të rilindësve tanë për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare ndër vite e dekada, për atdhedashurinë dhe përhapjen e dritës së diturisë. Sot, Shqipëri jonë e dashur, ka ecur përpara, ndoshta edhe më shumë do të kishte ecur nëse do të ishim të bashkuar, me një mendim, me një ideal atë, të integrimit europian.
Sot, bota e njeh Shqipërinë nga djemtë dhe vajzat tona të cilat ndërtojnë ura harmonie dhe suksesi në botë, atje ku jetojnë dhe punojnë. Është koha më e bukur dhe më e arrirë për shqiptarët që mos të mbajnë sytë nga emigrimi dhe lënien e këtij vendi që fal dhe do të fal akoma edhe më shuamë arritje, jetë dhe mirëqenie për të gjithë.
Ky fat është në dorën tonë, ndaj le të jemi së bashku si në atë nëntor 1912, për të hedhur dhe forcuar themelet e së ardhmes mbi të gjitha për fëmijët tanë, për rininë tone të mrekullueshme. Sot, Shqipëria është një zë që nderohet dhe respektohet falë përpjekjeve titane të popullit tonë.
Nuk është më një shprehje gjeografike, por një realitet dhe faktor paqeje dhe stabiliteti në Evropë dhe në mbarë botën. Shqipëria është anëtare e NATO-s, në një fazë të re të rrugëtimit evropian, dhe qëndron denjësisht në krah të partnerëve strategjikë, SHBA dhe BE. Më 6 dhjetor Tirana do të jetë kryeqyteti politik i Evropës, ku udhëheqësit e së cilës do të diskutojnë sfidat e integrimit, zhvillimit, sigurisë dhe paqes Gëzuar festën e flamurit kurdoherë!