Tv Kombi përmes këtij postimi uron aktorin Dritan Boriçi në ditën e tij të lindjes duke i uruar suksese të mëtejshme në rrugën e artit skenik. Për Tv Kombi, aktori Dritan Boriçi mbetet një bashkëpunëtor dinjitoz i ekranit të këtij televizioni duke arritur të përcjellë si ideator dhe regjisor për teleshikuesit një numër spektaklesh dhe emocionesh që kanë mbetur gjatë në kujtesën e tyre.
Dritan Boriçi lindi në vitin 1972 në qytetin e Fierit. Mbas mbarimit të studimeve në liceun “Janaq Kilica” vijon studimet në vitin 1990, për aktor në Akademinë e Arteve në Tiranë. Diplomohet si aktor në Akademinë e Arteve të Bukura në vitin 1994. Në periudhën ndërmjet viteve 1995 – 2003, ai ka qenë aktor i Teatrit Bylis të Fierit. Falë talentit që e karakterizonte gjatë roleve që iu besuan, ai tërhoqi vëmendjen e kritikës dhe drejtuesve të Teatrit Kombëtare, të cilën e ftuan për të qenë pjesë e trupës së këtij institucioni të rëndësishëm dhe që prej viti 2003 është aktor i Teatrit Kombëtar. Në jetëshkrimin e tij artistik numërohen një numër rolesh të spikatura dhe të vështira në realizim duke e bërë figurën e tij artistike dhe aktoriale tepër të veçantë në skenë. Kërkues dhe ambicioz Boriçi e sheh skenën si fushën e ballafaqimit të vlerave të vërteta duke u shfaqur përherë me pretendime për arritje të mëtejshme në rrugën e tij artistike. Ai gjithashtu është fitues i disa çmimeve me peshë në fushën e dramaturgjisë si ai i vitit 2007 “Qemal Ajdin” për aktorin më të mirë të Festivalit të Teatrit Shqiptar në Maqedoni, në vitin
1997 – “Aleksandër Moisiu” aktori më i mirë i të rinjve në Festivalin Kombëtar të Teatrit
apo dhe në vitin 2009 Çmimi i parë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “Monoakt” në Prishtinë me pjesën “Legjenda e pianistit”.
Ai është i ingranuar jo vetëm në skenën e Teatrit Kombëtar, por edhe si pedagog i aktrimit në Universitetin Evropian të Tiranës.