Ballina Lajme Trashëgimia kulturore në Fier një vëmendje e shtuar e bashkisë së Fierit...

Trashëgimia kulturore në Fier një vëmendje e shtuar e bashkisë së Fierit krahas zhvillimit të përgjithshëm të tij

115

Muzeu Historik në Fier përbën një nga institucionet kulturore për të cilin bashkia e Fierit ka kushtuar një kujdes të veçantë në drejtim të infrastrukturës së tij. Prej vitesh ky institucionin jetonte problematika të shumta duke rrezikuar kështu edhe pasurinë e madhe që përfshihet në fondin e objekteve muzeale të tij.

Përmes vizitës në Muzeun Historik të Fierit do të shohësh nga afër dhe të njihesh me një pjesë të rëndësishme të kulturës, traditës, historisë dhe qytetërimit antik. Pavijoni i Arkeologjisë në këtë Muze, përfaqësohet nga objekte të ekspozuara, që në pjesën më të madhe i përkasin qytetit antik të Apolonisë dhe qyteteve fqinje ilire të: Bylisit, Nikajës, Dimalit, apo atyre në Margëlliç dhe Gurëzezë.

Në stendat e tij janë ekspozuar edhe artefaktet që vijnë nga gërmimet në stacionin neolitik të Cakranit dhe varrezës tumulare të Patosit. Arkeologjia ofron tematika të veçanta për njohjen e parahistorisë, qytetërimit antik, themelimit të qyteteve koloni, organizimin e jetës, ndërtimet, infrastrukturën, rrugën Egnatia, kulturën shpirtërore, teatrin, skulpturën, numizmatikën, etj.

Të gjitha këto, së bashku me objektet e shumta të qeramikës, armët e luftës, veglat e punës, mbishkrimet dhe mozaikët, i krijojnë vizitorit një njohje mbi periudhat e parahistorisë, antikitetit dhe mesjetës së hershme.

Tashmë mjediset e këtij muzeu janë shndërruar në pikë të rëndësishme të edukimit të nxënësve të shkollave të bashkisë së Fierit, por edhe qendër e organizmit të shumë eventeve në data të shënuara, por edhe me tematikë të caktuar.

Muzeu Historik i Fierit tashmë vizitohet edhe nga turistët e huaj, të cilët pas Apolonisë bëjnë një ndalesë dhe në këtë mjedis duke u njohur me historinë e trevës së Myzeqesë dhe pasuritë e nëntokës që janë të veçanta. Vizitorët shprehin kënaqësinë për karakterin njohës rreth historisë, kulturës apo trashëgimisë materiale që ruan dhe transmeton ky institucion i memories kolektive, dialogut dhe komunikimit duke i dhënë vlerë identitetit tonë kombëtar./Tv Kombi/