Ballina Lajme Trafikoi mbi 2 tonë kokainë në Belgjikë, 44-vjeçari kërkon uljen e dënimit:...

Trafikoi mbi 2 tonë kokainë në Belgjikë, 44-vjeçari kërkon uljen e dënimit: Koka e grupit ishte shqiptari, por s’flas dot, rrezikohet familja ime në Shqipëri

24

Gjykata e Apelit në Liège, Belgjikë, nisi të hënën hetimin e çështjes në gjyqin “Pharmaceutica”, një çështje e madhe e trafikut të drogës, me shumë të pandehur. 18 persona preken nga procedura e ankimit.

Çështja, e mbiquajtur “Pharmaceutica”, përfshin të pandehur të shumtë dhe ka të bëjë me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Droga e llojit kokainë, mbërriti nga Kolumbia dhe kalonte tranzit nëpër portet e Antëerpe ose Roterdam.

Janë sekuestruar jo më pak se 1.9 ton kokainë për një vlerë prej 80 milionë eurosh. Organizata kriminale do të kishte importuar potencialisht 15 tonë kokainë.

Droga importohej në laboratorët në Ferrières dhe Modave, ku përpunohej dhe paketohej.

Dries L., 44-vjeçari, banues në Comblain-au-Pont, i konsideruar si vendimmarrës në organizatën kriminale, u dënua me 12 vjet burg. Por ai e kontestoi këtë rol, ndërsa sugjeroi se nuk mund të flasë në detaje për këtë aferë, për shkak të rrezikshmërisë së organizatës.

“Është një organizatë e madhe. Nuk mund të flas për liderin e saj që është shqiptar, ndërsa familja ime jeton në Shqipëri. Kam marrë pjesë në aktivitetet e kësaj organizate, por nuk kam dhënë urdhra apo direktiva. Kam marrë urdhra dhe kam qenë i pranishëm në një rol mbikëqyrës. Misioni im ishte të shikoja dhe të raportoja. Por unë nuk e preka kokainën”, tha ai në gjykatë.

Dries L. pohoi se hetimi ishte kryer ekskluzivisht kundër tij dhe se detyrat shtesë që do të bënin të mundur kualifikimin e rolit që i atribuoheshin atij i ishin refuzuar.

Ai pretendon se ka qenë në dijeni të seriozitetit të fakteve, por kërkon një dënim më të vogël për rolin e tij si mbikëqyrës.

Për këtë shtetas më herët SPAK ka sekuestruar edhe disa pasuri që kishte në Shqipëri. Konkretisht:

Sekuestrimi i pasurive të subjektit Dries Lonneux.

Nga ana e Prokurorisë së Posaçme është bërë e mundur ekzekutimi i vendimit nr.18 datë 30.06.2023 i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lidhur me sekuestrimin e pasurive të shtetasit belg Dries Lonneux, person i akuzuar ne Belgjikë nën akuzën: “Drejtues i një organizate kriminale”, “Trafikim lëndësh narkotike në bashkëpunim” dhe në veçanti për “Importimin e lëndës narkotike të llojit kokainë”.

Pasuria me sipërfaqe 122.8m2, ndodhur në Sarandë, e llojit “Apartament”, përfituar me kontratë shitje për shumën prej 45 000 Euro;

Pasuria me sipërfaqe72.90 m2, ndodhur në Sarandë, e llojit “Apartament”, blerë nga shtetasi belg Dries Lonneux për shumën monetare prej 25 000 Euro;

Pasuria me sipërfaqe 108 m2, ndodhur në Sarandë, e llojit “Apartament”, blerë nga shtetasi belg Dries Lonneux për shumën monetare prej 35 000 Euro;

Pasuria me sipërfaqe 115 m2, ndodhur në Sarandë, e llojit “Apartament”, blerë nga shtetasi belg Dries Lonneux, për shumën monetare prej 35 000 Euro;

Pasuria me sipërfaqe 58.80 m2, ndodhur në Sarandë, e llojit “Apartament”, blerë nga shtetasi belg Dries Lonneux, për shumën monetare prej 25 000 Euro;

Pasuria e ndodhur në Tiranë, e llojit “Arë + truall”, me sipërfaqe 5 150 m2 nga të cilat 849 m2 truall dhe 283 m2 ndërtesë, në pronësi të shoqërisë “Ralet Green” shpk., përfituar me kontratë shitje nga Shoqëria “Ralet Green” shpk, përfaqësuar nga administratori Dries Lonnuex për shumën prej 250 000 Euro;

Pasuria me sipërfaqe 550 m2, e ndodhur në Tiranë, e llojit “Arë”, në pronësi të shoqërisë “Ralet Green” shpk;

Pasuria me sipërfaqe 2 890 m2, e ndodhur në Tiranë, e llojit “Arë”, në pronësi të shoqërisë “Ralet Green” shpk;

Pasuria me sipërfaqe 1 180 m2, e ndodhur në Tiranë, e llojit “Arë”, në pronësi të shoqërisë “Ralet Green” shpk;

Pasuria me sipërfaqe 1 900 m2, e ndodhur në Tiranë, e llojit “Arë”, në pronësi të shoqërisë “Ralet Green” shpk;

Në vitin 2019, Dries Lonneux rezulton se ka investuar në Shqipëri në hapjen e një kompanie biznesi me emrin “RALET GREEN”, me objekt aktiviteti zhvillimin e teknologjive të reja. Ai gjithashtu ka në pronësi dhe pesë apartamente në Sarandë, të cilat janë sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme.

Dy vite pas këtij investimi, autoritetet në Belgjikë kanë zbuluar një rrjet të gjerë laboratorësh ku u sekuestrua 2 ton kokainë me vlerë 80 milionë euro.