Ballina Lajme Tra me pagesë në Parkun e Divjakës, banorët sërish në protestë

Tra me pagesë në Parkun e Divjakës, banorët sërish në protestë

1

Për të dytën ditë me radhë banorët e Divjakës kanë dalë në protesta kundër vendosjes së Traut me pagesë për të hyrë në Parkun e Divjakës.

Në një marshim protestë, banorët kanë kërkuar sërish heqjen e traut dhe pagesën për të hyrë në park, ku sipas tyre kjo rrugë është e përditshëm dhe bileta do të rëndojë edhe më shumë xhepat dhe ekonominë e tyre familjare.

Edhe gjatë ditës së sotme banorët janë mbështetur në protestën e tyre nga deputetë të PD dhe të Rithemelimit. Një ditë më parë Ministria e Turizmit sqaroi se bileta me vlerën 50 lekë do aplikohet vetëm për turistët dhe prej saj përjashtohen banorët e zonës.

Ministria tha se rruga ku vendoset sistemi i kontrollit është një rrugë që të jep akses vetëm në park dhe nuk të lidh me asnjë aks tjetër rrugor dhe se kjo tarifë do të përdoret për pastrimin, mirëmbajtjen dhe investimin në Parkun e Divjakës.

 /rtsh.al/