Një efektiv i policisë është vënë në pranga këtë të diel (9 prill) në Tiranë, i akuzuar për korrupsion. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bën me dije se ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës për arrestimin e policit, S.C., 48 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Sipas njoftimi, arrestimi i 48-vjeçarit erdhi pas disa muajsh hetime, ku u provua se ai i kishte marrë një shumë parash një personi i cili po hetohej për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike, me premtimin se do t’i lehtësonte atij akuzat.
Po ashtu është vendosur masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” edhe për personat F.K., 51 vjeç dhe E.K., 22 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim.
/rtsh.al/