Ballina Lajme Tentuan të grabisnin me armë biznesmenin në Lushnjë, policia arreston një prej...

Tentuan të grabisnin me armë biznesmenin në Lushnjë, policia arreston një prej autorëve, në kërkim ende të dy të tjerëve

1

Arrestohet në Elbasan një prej autorëve që tentuan të grabisnin me armë një biznesmen në Lushnjë.

Vihet në pranga 66-vjeçari Bukurosh Mukja (drejtuesi i automjetit), i cili u largua bashkë me 2 autorët e tjerë.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Parandalimi”, shërbimet e Policisë kanë vijuar ndjekjen e autorëve dhe krehjen e zonës, me qëllim kapjen e tyre. Si rezultat i koordinimit mes Policisë së Lushnjës dhe asaj të Elbasanit, u bë i mundur lokalizimi i njërit prej autorëve të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit.

Shërbimet e Policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me ato të Lushnjës, kapën në lagjen “Kala” të qytetit Elbasan, njërin prej autorëve, konkretisht shtetasin Bukurosh Mukja, 66 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Parandalimi”, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.

Shtetasi Bukurosh Mukja dhe 2 shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, Renato Çala dhe Florenc Tatoshi, kishin planifikuar vjedhje me armë në Lushnjë, por falë inteligjencës informative, Policia e Lushnjës ka mundur të parandalojë vjedhjen me armë.

Të tre këta shtetas, kur janë lokalizuar nga punonjësit e Policisë, nuk i janë bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por janë larguar me shpejtësi me një automjet tip “Benz” me targa të falsifikuara, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion.

Vijon puna intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 2 autorëve të tjerë të shpallur në kërkim.