Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi ka bërë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje pas tensioneve të krijuara në veri të Kosovës.
Varhelyi tha se Prishtina nuk duhet të ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues dhe se zgjidhja e vetme për qetësimin e situatës është që palët t’i përmbahen dialogut të ndërmjetësuar nga BE.
Një thirrje Varhelyi e pati edhe për kryetarët e ri të komunave në veri që të demonstrojnë përkushtimin për t’u shërbyer të gjithë komuniteteve.
“BE-ja dënon vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjeve tona të vazhdueshme për përmbajtje. Prishtina duhet të deskalojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues.
Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, policëve, anëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it. Kryetarët e zgjedhur duhet gjithashtu të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të demonstruar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar dhe shërbyer të gjithë anëtarëve të komuniteteve të tyre.
Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkruan Varhelyi në twitter.
Për shkak të tensioneve në veri të Kosovës është ndërprerë mësimi në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, si dhe në çerdhe.
Ndërprerja e mësimit në komunat Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok është ndërmarrë për shkak të tensioneve dhe protestave në veri.
Tensionet në veri nisën me betimin e kryetarëve të ri të komunave komunat Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, ku serbët nuk lejuan që kjo të ndodhte në institucion. Për këtë ndërhyri policia e Kosovës ku u përdor edhe gaz lotsjellës. Gjithashtu në disa prej komunave u dëgjuan edhe të shtëna armësh dhe u ngritën barrikada.
Për tensionet në veri të Kosovës, pati reagime të shumta nga ndërkombëtarët, ku SHBA dhe BE dënuan ndërhyrjen e dhunshme të policisë së Kosovës dhe kërkuan të shmangen provokimet.
/rtsh.al/