Ballina Lajme Tensionet në veri të Kosovës, Xhaçka: Barrikadat, vepër e grupeve kriminale, është...

Tensionet në veri të Kosovës, Xhaçka: Barrikadat, vepër e grupeve kriminale, është koha për dialog

1

Tensionet në veri të Kosovës janë vlerësuar nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, si skena „që të rikujtojnë ditët e errëta të viteve 90 në periudhën e regjimit jugosllav“.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, të publikuar edhe në rrjetin e saj social Facebook, shefja e diplomacisë shqiptare komenton se barrikadat në veri nuk janë vendosur nga zemërimi popullor, por nga grupet kriminale.

Sipas saj, Shqipëria është së bashku me Kosovën në këtë situatë të vështirë duke u shprehur se “nuk është momenti dhe as koha për të kryer kërcënime ushtarake”.

“Po ndjekim me keqardhje minutë pas minute shfaqjen e një krize të tejzgjatur në mënyrë artificiale në veri të Kosovës dhe jemi thellësisht të shqetësuar nga përshkallezimi i tensioneve. Barrikadat që janë ngritur në veri, jo prej ndonjë vale zemërimi popullor, por nga një grup kriminelësh famëkeq, nuk po pengojnë thjesht vijimin normal të jetës. Ato janë po ashtu skena që të kujtojnë ditët e errëta të viteve 1990 të cilat rajoni ynë i ka lënë pas njëherë e mirë bashkë me ish Jugosllavinë që shkoi e vate. Për pak vjen viti 2023! Kjo nuk është koha për të bërë kërcënime ushtarake apo për sulme të papranueshme kundër Policisë së Kosovës, KFOR dhe Policisë së EULEX. Kjo është koha për dialog dhe bashkëpunim.”- shkruan Xhaçka.

Sipas saj, kjo përballje e rrezikshme duhet të marrë fund dhe autorët duhet të nxirren përpara drejtësisë.

“Ne jemi me Kosovën në këtë situatë të vështirë dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe të mos i justifikojnë as barrikatat e as grupet kriminale që refuzojnë t’i largojnë ato. Të luash me zjarrin  është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë.”- shkruan Xhaçka.

/rtsh.al/