Ndihmës-sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike, Karen Donfried ka reaguar për situatën në veri të Kosovës, ku theksoi se braktisja e institucioneve nga Lista Serbe nuk është zgjidhje dhe se zhvillimet e fundit janë shqetësuese.
Donfried ka kërkuar uljen e tensioneve dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
“Ne jemi duke u marrë 24 orë në ditë me çështjen e monitorimit të situatës në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova të zbatojnë marrëveshjet e arritura. Ne e kemi mirëpritur propozimin gjermano-francez. Mendojmë se ka hapësirë për progres. Së bashku me BE-në mbështesim progresin, SHBA mendon se zhvillimet e fundit janë shqetësuese, nuk është zgjidhje braktisja e institucioneve”, tha Donfried.
Donfrid theksoi se SHBA-të janë në linjë me BE-në për zgjidhjen e problemit përmes dialogut, ndërsa bëri thirrje që të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa të sigurta.
” Të gjitha palët duhet të marrin hapa për qetësi dhe për siguri. Bëjmë thirrje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Situata nuk duhet të përshkallëzohet, jetët e atyre që janë paqeruajtës atje janë në rrezik. Tensionet në veri të Kosovës duhet të zvogëlohen”, tha ajo.
Më 5 nëntor, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, u larguan nga të gjitha institucionet e Kosovës. Ky vendim erdhi pasi autoritetet e Kosovës pushuan drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, pasi ai refuzoi të zbatojë vendimin e qeverisë për targat. Kryeministri Albin Kurti reagoi duke akuzuar Serbinë se po kërkon të destabilizojë Kosovën dhe se ka refuzuar plani franko-gjerman.
/rtsh.al/