Misioni i NATO-s në Kosovë , KFOR ka shprehur mbështetjen për dialog mes të gjitha palëve me qëllim zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës. Komandanti i Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia ka deklaruar se zgjidhja vjen vetëm përmes dialogut.
“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, tha Ristuccia.
Reagimi i Ristuccias vjen pas deklaratës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili u shpreh se koha që iu dha KFOR për heqjen e barrikadave ishte duke përfunduar.
“Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelët, por do t’i arrestojnë ata. Vendosja e barrikadave në rrugë nuk do të pranohet. Kjo kohë dhe hapësirë e nevojshme i është dhënë KFOR-it dhe një gjë duhet të kuptohet, se nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë, edhe barrikafar në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë“, tha Kurti.
/rtsh.al/