Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të tërheqin forcat speciale të policisë në veri dhe të ulen në tavolinën e negocimit për të shmangur eskalimin e mëtejshëm të gjendjes.
Një ditë pas vizitës së saj në veri të Kosovës, Von Cramon u shpreh se situata nuk është e qëndrueshme dhe se qeveria e Kosovës, sipas saj, po rrezikon tepër me vendosjen e forcave të njësive speciale.
Duke iu referuar zgjedhjes së ligjshme të Kryetarëve të Komunave, eurodeputetja u shpreh se “kryetarët nuk kanë fuqi legjitime që të hyjnë në këto objekte dhe këtë qasje ta bëjë me forcë. Askush nuk qeveris me 1-2 % të votave”.
“Jam mbështetëse e fuqishme e pavarësisë dhe unë mbështes integritetin e Kosovës në gjithë territorin e saj. Jam e brengosur, pas vizitës në veri dje. Është situatë e vështirë dhe e tensionuar. Njësi të policisë speciale, automjete të blinduara. Kryetarët komunalë janë zgjedhur de jure, në mënyrë të ligjshme, por kjo nuk do të thotë që ata kanë fuqi legjitime që të hyjnë në këto objekte dhe këtë qasje ta bëjë me forcë. Askush nuk qeveris me 1-2 % të votave.
Situata është e paqëndrueshme, prandaj unë vetë shkova atje për të parë si duket gjendja dhesi është larg nga pasqyra që pasqyrohet në media. Deklaratat e BE ne të gjithë jemi të brengosur. Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë me këto manovra në veri. Ata duhet ti bëjnë pyetje vetes nëse kjo është qeverisje e mirë, dhe a është kjo forma e qeverisjes së mirë që me dëshirojmë, duhet të kemi më shumë masa për ndërtimin e besimit. Ata ndihen se etiketohen si kriminelë dhe nuk janë të gjithë si kukulla të Beogradit, por ashtu perceptohen.
U bëj thirrje autoriteteve kosovare që të mendojnë për të marrë masa për ndërtimin e besimit, siç është tërheqja e forcave speciale të policisë dhe të ulen në tavolinën e negocimit.
Palët të angazhohen në dialog për të zgjidhur çështje të pazgjidhura”, tha ajo.
/rtsh.al/