Policia e Kosovës njoftoi se persona të dyshuar kanë qëlluar me armë zjarri drejt një makine patrulluese policore në vendin e njohur si Banjskë, në Komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe.
Sipas Policisë, nga ky sulm nuk ka zyrtarë të lënduar, por vetëm dëme materiale.
“Njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur [xhip-opel], në një rrugë malore në distancë prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.
Autoritetet e rendit thanë se kanë konfiskuar automjetin e dyshuar dhe kanë nisur hetimet për vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, edhe në të kaluarën kanë qenë objekt i sulmeve të ndryshme./Opinion.al