“Tempulli” vë pranga 2 persona/ Tentuan të shisnin kanabis e kokainë tek bashkëmoshatarët në shkollë
Dy nxënës kanë rënë në prangat e policisë pasi akuzohen se tentuan të shisnin kanabis e kokainë tek bashkëmoshatarët në shkollë.
Kjo u bë e mundur falë megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”.
Si rezultat i kontrollit të befasishëm nga shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë në shkolla, rezultoi se një 16-vjeçar posedonte brenda ambienteve të shkollës, një sasi dozash me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, si dhe një armë të ftohtë (thikë).
Në banesën e 17-vjeçarit (nxënës në një shkollë tjetër në Shkodër) që dyshohet se furnizonte me lëndë narkotike 16-vjeçarin Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 486 gramë kanabis në formë boçeje dhe disa doza kokaine.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera dhe në prani të psikologut, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. H., 16 vjeç dhe G. Dh., 17 vjeç.
Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara, për të identifikuar, kapur dhe arrestuar shtetasin që furnizonte 17-vjeçarin, me lëndë narkotike, për t’ia shitur bashkëmoshatarëve të tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksonit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./ CNA