Disa nga akullnajat e vogla të Zvicrës kanë shkrirë duke humbur sasi të konsiderueshme akulli këtë verë, mes temperaturave rekord të të nxehtit, ndërsa shkencëtarët janë detyruar t’i japin fund disa prej programeve të tyre matëse pasi nuk ka mbetur më akull.
“Disa nga shtresat e akullit në akullnajën “Corvatsch” në Zvicrën juglindore që u formuan rreth 7000 vjet më parë janë shkrirë”, tha Matthias Huss, i cili drejton rrjetin e matjes së akullnajave “Glamos” në Zyrih.
Datimi i akullit bazohet në matjet e mëparshme të bëra nga Universiteti i Heidelberg në Gjermani.
“Programi i matjes në Corvatsch do të ndalet pasi nuk ka mbetur akull në këto vende. Kështu që e vetmja gjë që na mbetet është të mbledhim dhe te heqim të gjitha materialet”, tha Huss.
Shkencëtarët e programit “Glamos” kanë matur akullnajat për dekada me rradhë, duke vlerësuar nivelet e vëllimit të borës në dimër dhe shkrirjen e borës në verë.
Ekipi vendosi të heqë gradualisht materialet e tij të matjes në tre akullnaja më të vogla në vitin 2019, në Pizolgletscher, Vadret dal Corvatsch dhe Schwarzbachfirn.
“Niveli i shkrirjeve këtë verë ishte i madh”, tha Huss, duke iu referuar motit të nxehtë të paprecedentë që do të thotë se nuk është më e mundur të matet humbja e mëtejshme e akullit për arsye teknike.
“Shkrirja e akullit nënkupton se peizazhi gjithashtu ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Një masë akulli mijëravjeçare është zhdukur pothuajse plotësisht. Vetëm një mbetje e vogël e akullit është ende e dukshme atje”, shtoi ai.