Ballina Lajme Teknologjia 5G/ Si do të përhapet në Shqipëri?

Teknologjia 5G/ Si do të përhapet në Shqipëri?

23

AKEP nisi këtë muaj procedurat për dhënien në përdorim të frekuencave të para për teknologjinë 5G të shërbimeve celulare. Kapërcimi i radhës në teknologji e gjen tregun në vijim të një cikli disavjeçar me performancë financiare zhgënjyese. Nevoja për investime të reja madhore mund t’i rrisë çmimet e komunikimit celular. 

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) nisi këtë muaj procedurën e këshillimit publik për dhënien e të drejtave të përdorimit të frekuencave në brezin 3.5 GHz.

Ky hap shënon edhe fillimin zyrtarisht të procedurave për implementimin e teknologjisë 5G në Shqipëri, në këtë brez të frekuencave.

Shqipëria është relativisht e vonuar në këtë proces dhe ndër vendet e fundit në Europë në procesin e adoptimit të teknologjisë më të re në komunikimet celulare. Maqedonia e Veriut e ka zhvilluar ankandin për frekuencat 5G që në mesin e vitit 2021, ndërsa Kosova dhe Mali e Zi e zhvilluan në fillim të vitit të kaluar.

Sipas Planit të Veprimit për adoptimin e teknologjisë 5G në Shqipëri, që u përgatit në fund të vitit 2021, në bashkëpunim me kompaninë e konsulencës Jones Group International, rekomandohej që procedura e tenderit për dhënien e autorizimeve për teknologjinë 5G të shpallej në mesin e vitit 2022.

Por, procesi ka qenë i ngadaltë për shkak të çështjeve teknike dhe burokratike, por edhe për shkak të zhvillimeve strukturore në treg

Dy prej operatorëve ekzistues, One Telecommunications dhe ALBtelecom, në fillim të vitit të kaluar, u bashkuan pas blerjes së tyre prej grupit hungarez 4iG dhe procesi i bashkimit e vështirësonte fokusimin për zhvillimin e një projekti tjetër madhor, si teknologjia 5G.

Nga ana tjetër, edhe vetë oreksi i tregut për të bërë një kapërcim të shpejtë teknologjik dhe për të kryer investime madhore nuk vlerësohet të ketë qenë shumë i lartë.

AKEP nuk propozon numër autorizimesh dhe vlera ofertash

Në vendimin për “Miratimin për këshillim publik të Dokumentit ‘Mbi dhënien e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 3400-3800 MHz (3.5 GHz)’”, Këshilli Drejtues shprehet se në fund të vitit të kaluar, përkatësisht në muajt nëntor dhe dhjetor, operatorët One Albania dhe Vodafone Albania kanë paraqitur me shkrim pranë AKEP shprehjen e interesit për brezin në fjalë.

Sipas ligjit “Për komunikimet elektronike”, nëse AKEP, në bazë të vlerësimit të tregut, konsideron se interesi për brezin e kërkuar të frekuencave mund të tejkalojë disponueshmërinë e frekuencave në këtë brez, si dhe për garantimin e një përdorimi efektiv të tyre, ai zhvillon një proces këshillimi publik me palët e interesuara, lidhur me kushtet e përdorimit të këtij brezi frekuencash dhe procedurën që mendohet të zbatohet për dhënien në përdorim të tyre.

Mbi këtë bazë, më datë 7 shkurt, AKEP miratoi fillimin e konsultimit publik për këtë proces, që do të zgjasë 60 ditë.

Dokumenti i konsultimit publik nuk përmban propozime për vlerën minimale për çdo njësi spektri që do të jepet në përdorim (zakonisht çmimi përcaktohet për çdo 1 MHz spektër), por subjektet e interesuara pyeten për çmimin që janë të gatshëm të paguajnë.

Dokumenti nuk përmban as propozime për mënyrën se si do të ndahet spektri dhe për numrin e të drejtave të përdorimit që mund të jepen.

Në praktikën e vendeve të BE-së dhe të rajonit, numri i të drejtave të përdorimit në brezin 3.5 GHz është i ndryshëm, përfshi edhe dhënien e të drejtave të përdorimit në nivel lokal, madje edhe për ndërtimin e rrjeteve private të komunikimit.

Në teori, procesi krijon hapësira edhe për hyrjen e operatorëve të rinj në tregun celular. Megjithatë, duke pasur parasysh përmasat e vogla të tregut shqiptar, këto shanse janë kryesisht teorike, ndaj pritet që edhe në frekuencat e reja të ofrojnë shërbim dy operatorët celularë ekzistues.

Numri i të drejtave të përdorimit dhe çmimi i kërkuar pritet të përcaktohet pas mbylljes së konsultimit publik që do të jetë i hapur deri në fillim të muajit prill.

Megjithatë, gjatë konsultimeve për Planin e Veprimit të implementimit të teknologjisë 5G, në vitin 2021, operatorët celularë paraqitën një sërë shqetësimesh.

Sipas tyre, abonimi i përdoruesit përfundimtar mund të mos krijojë të ardhura të nevojshme për ta bërë rrjetin 5G ekonomikisht të qëndrueshëm.

Është thelbësore që institucionet, në përcaktimin e çmimit minimal të kërkuar, të përqendrohen në arritjen e qëllimeve të lidhjes dixhitale: kjo do të thotë që interesi për përfitimet afatgjata sociale dhe ekonomike nga zhvillimi i brezit të gjerë 5G duhet të tejkalojë interesin afatshkurtër të Qeverisë në maksimizimin e të ardhurave shtetërore.

Operatorët shprehen të shqetësuar se, eventualisht, çmimi i lartë i ankandit mund të zvogëlonte aftësinë e tyre për të pasur kapitalin e nevojshëm për zhvillimin e infrastrukturës teknike të kërkuar 5G. Ata kanë kërkuar gjithashtu që autorizimet për frekuencat e teknologjisë 5G të paguhen me këste, për të paktën pesë vjet.

Operatorët rekomandonin që Qeveria të marrë në konsideratë zbatimin e mekanizmave fiskalë për stimulimin e investimeve në zonat e thella dhe rurale, duke argumentuar se zonat rurale shqiptare kanë kosto shumë të lartë zhvillimi dhe, në mungesë të subvencionimit nga Qeveria shqiptare, shtrirja e rrjeteve 5G në zonat rurale do të kërkojë një kohë të gjatë për t’u zhvilluar.

Madje, disa operatorë mendojnë që, duke qenë se një infrastrukturë e rrjetit 5G në Shqipëri do të kishte kontribut të rëndësishëm në qeverisjen më efektive, shteti duhet të jetë i gatshëm të kontribuojë me para për investimin në infrastrukturën e nevojshme.

Një prej operatorëve shprehu qëndrimin se një ulje e tarifave të taksës së komunikimit radio prej të paktën 40% nga niveli aktual do të rriste probabilitetin e suksesit ekonomik.

Çfarë ndryshon 5G?

Sipas AKEP, gjenerata e sistemeve celulare 5G në teori mund ta rrisë shpejtësinë e të dhënave të rrjeteve 4G me më shumë se 10 herë, duke përmirësuar teknikat e përdorimit të frekuencave. Megjithatë, po t’u referohemi të dhënave nga matjet e operatorëve që kanë implementuar rrjetet 5G në vitet e fundit, ndryshimet nuk janë të këtyre përmasave.

Shpejtësia mesatare e shkarkimit të të dhënave në rrjetet 5G është afërsisht dy herë më e lartë krahasuar me rrjetet 4G, por sidoqoftë paraqet ndryshime të mëdha, në varësi të operatorëve.

Megjithatë, kompani të specializuara të matjeve të shpejtësisë së internetit, si për shembull Ookla, e vlerësonin shpejtësinë mesatare të rrjeteve 5G në vitin 2022 në rreth 168 Mbps (megabit për sekondë). Gjithmonë duke iu referuar këtyre matjeve, shpejtësia mesatare për operatorë të veçantë në Europë ka arritur deri afërsisht 600 Mbps.

Këto shpejtësi janë sigurisht më të larta krahasuar me nivelet mesatare të rrjeteve aktuale 5G, por megjithatë për shumicën e përdoruesve, ato nuk sjellin ndryshime të mëdha në përdorimin e përditshëm të internetit.

Shpejtësitë e ofruara nga rrjetet 4G në përgjithësi mundësojnë përvojë të kënaqshme për përdorimet më të avancuara të përditshme, si për shembull ndjekjen apo shkarkimin e videove, lojërat apo përmbajtjet e tjera multimediale.

Kjo do të thotë se në shërbimet për përdoruesit individualë, kalimi në 5G ndoshta nuk do të perceptohet si një ndryshim shumë i madh.

Një çështje tjetër është teknologjia e aparateve celularë që mundësojnë lidhjen me frekuencat e teknologjisë 5G. Aktualisht, vlerësohet se vetëm një pakicë e aparateve që zotërojnë përdoruesit suportojnë frekuencat në të cilat përcillet interneti me teknologjinë 5G.

Këto aparate janë ende ndjeshëm më të kushtueshëm se ata bazë që përdoren për teknologjinë 4G, ndaj, rrjedhimisht, aksesi në 5G do të kërkojë edhe një përditësim në teknologjinë që zotërojnë përdoruesit fundorë.

Megjithatë, rrjetet 5G pritet të ofrojnë kapacitete më të mëdha dhe perspektiva më të zgjeruara, sidomos në zgjerimin e shërbimeve për bizneset. Të paktën në një fazë të parë, teknologjia 5G mund ta bëjë diferencën sidomos në këtë segment të tregut.

Mbulimi optimal me rrjetet e lëvizshme të internetit me brez të gjerë për Shqipërinë është i rëndësishëm, edhe për shkak se vendi ynë është ndër më të prapambeturit në Europë në mbulimin me rrjete fikse.

Edhe për këtë arsye, interneti nga rrjetet e lëvizshme është një alternativë e domosdoshme për banorët e zonave periferike dhe rurale, tashmë që një pjesë e madhe e shërbimeve të ofruara nga sektori publik dhe ai privat po zhvendosen gjithnjë e më shumë online.

Brezi 700 MHz, çështje e pazgjidhur

Për rrjetet e gjeneratës 5G, Plani Kombëtar i Frekuencave ka përcaktuar 3 breza kryesorë frekuencash: 700 MHz, 3400-3800 MHz dhe 26 GHz.

Aktualisht, në Shqipëri, brezat 3.5 GHz (3400-3800 MHz) dhe 26 GHz, janë të lirë, ndërsa brezi 700 MHz është ende në përdorim nga disa operatorë media audiovizive. Pas kalimit të këtij brezi nën administrimin e AKEP, do të bëhet dhënia në përdorim e tij për rrjete celulare 5G, duke ndjekur dhe duke zbatuar procedurat përkatëse ligjore.

Brezi 700 MHz vlerësohet se do të jetë brezi kryesor për zhvillimin e rrjeteve 5G dhe njëkohësisht, edhe brezi që pritet të sjellë më shumë të ardhurat për shtetin nga dhënia në përdorim e frekuencave.

Për shembull, në Maqedoninë e Veriut, çmimi fillestar për të drejtat e përdorimit në brezin 700 MHz ishte 6 milionë euro, dy herë më shumë krahasuar me brezin 3.5GHz.

Arsyeja pse mbulimi me teknologjinë 5G synohet sidomos në brezin 700 Mhz, që pritet të sigurojë mbulimin kryesor me teknologjinë 5G, është sidomos e natyrës teknike. Sa më i ulët të jetë brezi i frekuencës, aq më e madhe është distanca që mund të mbulohet. Për këtë arsye, ndërtimi i rrjeteve në frekuenca të ulëta është më i lehtë dhe më pak i kushtueshëm për operatorët celularë.

Sa më shumë rritet frekuenca, aq më shumë shkurtohet distanca që mund të mbulohet nga një antenë e caktuar dhe aq më shumë sinjali i tyre është i ndjeshëm ndaj pengesave fizike.

Për këtë arsye, rrjetet në frekuencat e larta të spektrit, për shembull, 26 GHz, janë të vështira dhe të kushtueshme, sepse kërkojnë një numër shumë të madh antenash për mbulim optimal të sipërfaqeve të mëdha.

Por, nga ana tjetër, sa më i lartë të jetë brezi i frekuencës, aq më e madhe është gjerësia e bandës (bandwidth) që mundëson. Pra, teorikisht, në kushte teknike të njëjta, shpejtësitë që mund të arrihen në brezin 26 GHz janë më të larta se ato në brezin 700 Mhz apo 3.5 GHz.

Por, për shkak të vështirësive për të mbuluar sipërfaqe të mëdha, deri tani ndërtimi i rrjeteve 5G është mbështetur sidomos te frekuencat e ulëta, 700 MHz dhe 3.5 GHz. Edhe në Shqipëri, operatorët celularë kanë paraqitur shprehje zyrtare interesi për të ndërtuar rrjete në brezin 3.5GHz, por ende jo në atë 26 GHz.

Lirimi i brezit të frekuencave 700 MHz nga transmetimet audiovizive për t’iu kaluar operatorëve të komunikimeve elektronike ende nuk është kryer, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga afati i përcaktuar.

Në vitin 2021, Këshilli i Ministrave pati miratuar Planin e Ri Kombëtar të Frekuencave, që sanksionon përfundimisht zgjerimin e spektrit që do të përdoret për internetin me brez të gjerë nga rrjetet e lëvizshme.

Sipas Planit të ri, brezi 700 MHz (694-790 MHz) duhet të kalonte përfundimisht nën administrimin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) duke filluar nga 30 qershori 2022.

Mbështetur në dokumentin e planit të veprimit për adoptimin e teknologjisë 5G në Shqipëri, përgatitur nga AKEP në bashkëpunim me kompaninë e konsulencës Jones Group International, brezi 700 MHz do të përdoret për zhvillimin e teknologjisë 5G të komunikimeve celulare. Por, lirimi i këtij procesi po rezulton një proces i vështirë, përtej afateve dhe parashikimeve të vendosura.

Në raportin vjetor për Kuvendin të vitit 2022, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), pranonte se nuk ishin bërë përparime të rëndësishme në këtë proces, duke nënvizuar se lirimi i brezit 700 MHz (DD2) është një proces kompleks, i cili përfshin disa vendimmarrje në kuadrin ligjor, financiar, teknik, i cili ngarkon me përgjegjësi jo vetëm AMA-n, por një sërë aktorësh (të tillë si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Autoriteti i Konkurrencës, AKEP, operatorët audiovizivë kombëtarë publikë dhe privatë, etj.), të cilët të gjithë së bashku duhet të kenë vullnetin e mirë për të nxitur dhe për të përshpejtuar arritjen e objektivit.

Për këtë qëllim, me urdhër të Kryeministrit, është ngritur grupi ndërinstitucional i punës për lirimin e brezit dixhital divident dy (DD2), i cili do të jetë përgjegjës për koordinimin e veprimtarive lidhur me lirimin e këtij brezi, si dhe për propozimin e të gjitha vendimmarrjeve të nevojshme tek organet kompetente për realizimin e tij.

Deri tani, ngritja e këtij grupi pune nuk ka dhënë rezultate konkrete në lirimin e brezit 700 MHz.

Shtrirja e komunikimeve celulare në brezin 700 MHz pritet të jetë hallka më e rëndësishme drejt adoptimit të teknologjisë 5G, në kuptimin e administrimit të spektrit, sepse teknikisht, ky brez ofron mbulimin me rrjet të zonave më të gjera).

Bazuar në Vendimin e Parlamentit Europian të datës 17 maj 2017, vendet anëtare të BE duhet të lejojnë përdorimin e këtij brezi për ofrimin e shërbimeve broadband të komunikimeve elektronik broadband të lëvizshme.

Ato mund të vonojnë lejimin e përdorimit të brezit të frekuencave 700MHz deri në dy vjet, në bazë të arsyeve të justifikuara. Si vend kandidat për anëtarësim, Shqipëria është në shkelje të të gjitha afateve për kalimin e këtij brezi në përdorim të operatorëve të komunikimeve elektronike.

Përdorimi i internetit, në rritje të vazhdueshme

Zhvillimi i rrjeteve 5G pritet të sjellë rritje të mëtejshme të shpejtësisë së transmetimit të të dhënave nga rrjetet celulare. Në thelb, kjo do të bëjë që shqiptarët të kenë internet më të shpejtë në celularët e tyre.

Të dhënat më të fundit të publikuara nga AKEP tregojnë se në fund të tremujorit të tretë 2023, numri i përdoruesve të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare (i shprehur si numri i kartave SIM që përdorin këtë shërbim) arriti në 2.56 milionë, në rritje me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. AKEP vlerëson se rreth 91% e pajtimtarëve aktivë të shërbimeve celulare përdorin internetin nëpërmjet telefonave smart.

Vëllimi i të dhënave të transmetuara nëpërmjet internetit në rrjetet celulare gjatë tremujorit të tretë 2023 arriti në 61 milionë GB (gigabyte), me rritje vjetore prej 17.1%. AKEP vlerëson se mesatarisht, çdo përdorues konsumoi 7.94 GB internet në muaj, në rritje me 7.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shifrat tregojnë rritje të vazhdueshme vit pas viti, duke dëshmuar orientimin gjithnjë e më të madh të shërbimeve celulare drejt transmetimit të të dhënave (internetit). Kjo rrit njëkohësisht edhe nevojën për më shumë frekuenca dhe për teknologji që mundësojnë shpejtësi më të lartë.

Burimi: AKEP

Pritshmëritë për të ardhurat në buxhet

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) shpalli këtë javë fillimin e procedurës së këshillimit publik për dhënien në përdorim të frekuencave të para që do të përdoren për zhvillimin e teknologjisë 5G në Shqipëri.

Dokumenti i konsultimit publik nuk përmban propozime për vlerën minimale të ofertave që duhet të paraqiten në garë.

Megjithatë, për të krijuar një ide lidhur me të ardhurat që mund të sigurojë buxheti i shtetit nga licencat 5G mund t’u referohemi eksperiencave të vendeve fqinje, që janë më të avancuara se Shqipëria në këtë proces.

Në ndryshim nga Shqipëria, vendet fqinje, si Kosova, Maqedonia e Veriut i kanë tenderuar në të njëjtën kohë brezat e frekuencave që janë alokuar për zhvillimin e teknologjisë 5G, përkatësisht 700 MHz, 3.5 GHz. Madje, Mali i Zi, ka tenderuar edhe frekuenca në brezin e 26 GHz.

Shqipëria pritet ta nisë procesin me brezin 3.5GHz, ndërsa brezi kryesor për zhvillimin e teknologjisë 5G, ai 700 MHz ende nuk është liruar nga operatorët audiovizivë.

Plani Kombëtar i Frekuencave parashikonte që brezi 700 MHz duhet të kalonte nën administrimin e AKEP që më 30 qershor 2022.

Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga afati i përcaktuar, gjë që dëshmon, si shpeshherë të tjera, paaftësinë e institucioneve shqiptare për të përmbushur detyrimet dhe afatet ligjore.

Krahasimet në vlerat e përfituara në vendet fqinje mund të kenë vetëm vlerë referuese, në radhë të parë, sepse madhësia e popullsisë dhe e tregut potencial është më e vogël se në Shqipëri (të paktën me të dhënat zyrtare deri më sot).

Megjithatë, në rastin e Kosovës, dy operatorët që u pajisën me të drejta për të shfrytëzuar frekuencat e brezit 3.5 GHz vitin e kaluar, paguan gjithsej rreth 4.6 milionë euro për një sasi spektri prej 200 Mhz (100 MHz) secili.

Ndërkohë, dy operatorët paguan edhe afërsisht 7 milionë euro të tjera për frekuencat në brezin 700 MHz, brez që në Shqipëri nuk mund të tenderohet ende. Në Kosovë, kushtet e autorizimeve të dhëna për operatorët parashikojnë edhe mundësinë e pagesës me këste, të shtrira deri në pesë vjet.

Në Maqedoninë e Veriut, ankandi për brezat e teknologjisë 5G u zhvillua në vitin 2021 dhe vlera minimale e kërkuar për çdo të drejtë përdorimi (prej 100 MHz) në brezin 3.5 GHz ishte 3 milionë euro.

Vlera pak më e lartë në rastin e Maqedonisë së Veriut mund të shpjegohet me numrin më të madh të popullsisë (rreth 2.1 milionë banorë kundrejt 1.9 milionë banorë të Kosovës). Si në rastin e Kosovës, ashtu edhe të Maqedonisë së Veriut, të drejtat e përdorimit për brezin 3.5GHz janë dhënë për një periudhë 20-vjeçare.

Shqipëria ka zyrtarisht një popullsi prej pothuajse 2.8 milionë banorësh, por vlerësohet se shifra reale duhet të jetë ndjeshëm më e ulët, për shkak të tendencave negative demografike, të lidhura me rënien e lindshmërisë dhe sidomos me emigracionin e lartë në dekadën e fundit.

Në teori, megjithatë, shifrat që pritet të përfitojë shteti shqiptar nga dhënia e të drejtave të përdorimit 5G në brezin 3.5 GHz duhet të jenë pak më të larta se ato të Maqedonisë së Veriut (rreth 3 milionë euro për çdo 100 MHz). /monitor