Ballina Lajme Të dhënat: Numri i të rinjve u ul me shpejtësi nga 2019-2023,...

Të dhënat: Numri i të rinjve u ul me shpejtësi nga 2019-2023, por ata në kërkim të punës u rritën

6

Nga viti 2019 deri në 2023, numri i të rinjve 15-29 vjeç ra me 94 mijë, ose me 13.7%, por nga ana tjetër, numri i të rinjve që kërkojnë punë është rritur. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në vitin 2019, kishte 681,552 persona të moshës 15-29 vjeç, teksa në zyrat e punës ishin të regjistruar si punëkërkues 15,372 persona. Në tremujorin e fundit të vitit 2023, popullsia e moshës 15-29 vjeç ishte 587,888 persona, ndërsa mbi 17,880 të rinj ishin të regjistruar në zyrat e punës si të papunë, ose 16% më shumë se në 2019.

Ndonëse tregu i punës vitet e fundit ka raportuar mungesa punonjësish në të gjithë aktivitetet, papunësia e të rinjve po vjen gjithnjë e në rritje. Madje vitet e fundit, edhe në sektorin publik që dikur ishte shumë i kërkuar, ka shumë vende të lira, sidomos në qarqe. Ekspertët e tregut të punës analizojnë se rritja e papunësisë te të rinjtë vjen si mospërputhje e ofertës për punë dhe kërkesës që kanë të rinjtë.

Viti pas viti, arsimi në vendin tonë ka humbur lidhjen me tregun e punës dhe modelin e zhvillimit. Të rinjtë e arsimuar kanë pak sektorë ku mund të angazhohen, teksa ekonomia është përqendruar në sektorë që kërkojnë krah pune, të tillë si punonjësit e shërbimeve, ndërtimit dhe fasonit. Pas pandemisë, prirja e papunësisë ka shënuar rritje te të rinjtë. Në tremujorin e fundit të vitit 2020, papunësia në grupmoshën 15-29 vjeç ishte 21,7%, ndërsa në tremujorin e fundit të vitit të kaluar arriti në 22%.

Krahasimet tregojnë se edhe në kulmin e pandemisë, kur papunësia e përgjithshme u rrit, papunësia e të rinjve është më e butë se aktualisht. Anketa të tjera që kanë matur emigracionin potencial, kanë treguar se vështirësitë në punësimin e të rinjve janë shkaktari kryesor për emigrimin e tyre. Gati 80% e personave që largohen nga vendi janë të rinj nën 30 vjeç dhe arsyet e largimit lidhen me përpjekjet për të përmirësuar gjendjen e tyre ekonomike.

Të dhënat tregojnë se të rinjtë kanë më shumë vështirësi për të gjetur punë në krahasim me grupmoshat e tjera në moshë pune. Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0% më 2023. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 0,6 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë 2023, ky tregues është ulur me 0,02 pikë përqindje. Për grupmoshën 30-64 vjeç, shkalla e papunësisë ishte 7,9% në tremujorin e fundit 2023. Në terma vjetorë, ky tregues është rritur me 0,3 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një rritje me 0,4 pikë përqindje./Monitor