Ballina Lajme Taulant Balla njofton 2 nismat e reja për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit: Mos...

Taulant Balla njofton 2 nismat e reja për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit: Mos të përsëritet historia.

1

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka njoftuar dy nisma të reja në kuadër të projektligjit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit.  Balla ka bërë me dije para mediave dy nismat e reja, atë për ndryshime në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen apo emërohen në funksione publike; dhe atë për partitë politike.

Kuvendi ka miratuar me një konsensus të gjerë ligjin e parë të një pakete tepër të rëndësishme që ka të bëjë me një proces që ka shumë vite që shqiptarët e presin. Kemi arritur të zhbllokojmë pengesat që lidhen me verifikimin e të gjithë personave që synojnë të zgjidhen apo emërohen në pozicione të larta shtetërore përmes heqjes së pengesave të dy komisioneve Mezini dhe Bezhani dhe një hapje të përgjithshme të dosjeve të ish-sigurimit të shtetit.

Në vijim, me qëllim zbardhjen e së vërtetës për personat që kërkojnë të ushtrojnë detyra shtetërore, kjo sot është një domosdoshmëri dhe simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e së kaluarës.

Për tu siguruar që historia mos të përsëritet dhe për të respektuar pas 32 vitesh viktimat e regjimit diktatorial, duhet që anëtarët qofshin oficerë, punonjës operativ, spiunë apo denoncues të mos kenë më mundësi të jenë pjesë e vendimmarrjes në çfarëdo niveli.

Grupi parlamentar i PS duke hequr pengesën ligjore që kushdo që disponon certifikatë pastërtie të mëparshme, të riverifikohet nga Autoriteti i Dosjeve po prezanton sot dhe 2 nisma të reja për ndalimin e personave me lidhje në të shkuarën me ish-sigurimin famëkeq që solli pasoja tragjike për mijëra familje shqiptare”, tha Balla.

Sipas Ballës, nisma e parë, e cila ka të bëjë me ligjin për dekriminalizimin, parashikon ndalimin e personave për të marrë poste publike nëse vërtetohet lidhja e tyre me ish-sigurimin e shtetit.

Ndërsa nisma e dytë, ajo për ndryshimin në ligjin e partive politike, sipas Ballës ka të njëjtën qasje, që nuk mund të jenë kryetar të partive politike në një sistem politik pluralist e demokratik ata që kanë qenë dikur bashkëpunëtor me status oficeri, apo denoncues të sigurimit të shtetit.

E para ka të bëjë me ndryshime në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen apo emërohen në funksione publike, ose siç quhet në terma të gjuhës së përditshme, ligji i dekriminalizimit dhe tjetra për partitë politike. Nisma e parë, parashikon ndalimin e personave për të marrë poste publike nëse vërtetohet lidhja e tyre me shërbimin sekret të regjimit të kaluar.

Verifikimi kryhet në bazë të vetëdeklarimit që paraqet subjekti dhe nëse  rezulton i pavërtetë përveç humbjes së të drejtës për të qenë në poste publike, personi ngarkohet me përgjegjësi penale për deklarim të rremë. Këtij detyrimi ligjor do i nënshtrohen edhe ata që janë në pozicione të tilla, jo vetëm ata që kanë qenë, pavarësisht nëse e kanë apo jo një certifikatë pastërtie “Bezhani apo Mezini”. Kanë rënë certifikatat e këtyre dy komisioneve, sepse duhet të kalojnë përmes verifikimit.

Nisma e dytë, ajo për ndryshimin në ligjin e partive politike ka të njëjtën qasje, nuk mund të jenë kryetar të partive politike në një sistem politik pluralist e demokratik ata që kanë qenë dikur bashkëpunëtor me status oficeri, denoncues të sigurimit të shtetit”, tha Taulant Balla.

/rtsh.al/