Ballina Lajme Targat e personalizuara 180 mijë lekë, Blendi Gonxhja: Kërkesa të larta, ankand...

Targat e personalizuara 180 mijë lekë, Blendi Gonxhja: Kërkesa të larta, ankand për kombinime të njëjta

1

Nga data 1 mars ka nisur shërbimi risi i targave të përsonalizuara. Në një intervistë me Andri Xhahun në emisionin “Në radio”, Blendi Gonxhja, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, tregon se si lindi ky shërbim. “E them me keqardhje që para vitit 2019, DPSHTRR ishte një institucion që njihej jo për mirë për shitjen e targave të bukura nga sportelistët, sekserët apo drejtorët. Fenomeni tregonte që kishte kërkesë nga njerëzit për një produkt të dedikuar, por paratë shkonin në xhepat e gabuar.”

Gonxhja shprehet se qëllimi ishte që këtij institucioni t’i kthehej dinjiteti, duke e shndërruar pozitivisht këtë fenomen deri atëherë negativ. “Nga viti 2019 deri në vitin 2022 ne kemi shitur targa të bukura të standardit që njohim me shtatë karaktere. Flitet për më shumë së 20 mijë targa të tilla. Në këtë mënyrë i shkuan rreth 7 milion euro arkës publike.”

Personalizimi i targave është një shërbim që ofrohet në shumë vende të botës. “Ne zgjodhëm shembullin anglez dhe belg, që e kanë shumë të zhvilluar personalizimin e targave. Këto shërbime të dedikuara të luksit apo të një lloj statusi personal kthehen në një moment pozitiv për shërbimin.”

Se si mund të aplikohet për marrjen e këtij shërbimi, Gonxhja sqaron: “Në faqen zyrtare të DPSHTRR-së ka një konfigurator online. Një njeri nuk shpenzon sa kohë që kompozon dhe fantazon. Më pas në konfigurator dalin të gjitha tarifat që rrjedhin nga kombinimi që aplikanti ka bërë. Sa më pak gërma nga shtatë karaktere aq më shtrenjtë kushton.”

Faza e parë e këtij shërbimi është kombinimi i targës me 5, 6 ose 7 karaktere. Pas kompozimit vjen një përgjigje nëse kombinimi është i mundshëm dhe konfiguratori jep vlerën. “Në rast se keni një kombinim të mundshëm dhe ka një çmim që pasqyrohet, për shkak të një rregulloreje e cila përcakton që kombinimet me vlera të rralla shkojnë në ankand, mundet që një kombinim i caktuar të kalojë përmes tij. Në fund të muajit bëhet ankandi mujor, secili regjistrohet dhe shërbimin e përfiton kush ofron më shumë.” 

Diskutimeve të shumta për çmimin që qytetarët duhet të paguajnë për marrjen e këtij shërbimi, Gonxhja tregon se varion nga 120 mijë deri në 250 mijë lekë të rinj. “Në ditët e para mesatarja e çmimeve të pranuara nga publiku që është në pritje të marrjes së shërbimit shkon diku te 180 mijë lekë të rinj.”

Në ditët e para të ofrimit të shërbimit të targave të përsonalizuara interesi ka qenë i lartë. Deri tani numërohen më shumë se 600 porosi nga ata që kanë pranuar ta blejnë këtë shërbim. Midis tyre ka dhe shumë emra të personazheve publike. “Na ka bërë përshtypje dhe dua të falënderoj Noizy-n. Ai jo vetëm ka blerë targën e vet sipas tarifës dhe tre të tjera për mjetet e tjera, por pranoi të bënte një promovim të këtij shërbimi sepse i pëlqente që kjo tabu në tregun dhe shoqërinë tonë u thye.”

I gjithë ky shërbim synon të kthehet në një mekanizëm shumë pozitiv. “Kjo sepse rritja e të ardhurave shpërndahet në projektet e edukimit, ato kulturore, të retros dhe sigurisë rrugore.”

/rtsh.al/