Zbardhen lëvizjet e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, pak para arrestimit. Gazetarja Klodiana Lala pohoi se ditët e fundit Dako i kaloi në Durrës, ndërsa ka vijuar me takimet e tij të përditshme, duke takuar bashkëpunëtorë të ngushtë.
Mësohet se vetëm dje, Dako ka mbërritur në Tiranë, ndërkohë që ai do të duhet të japë shpjegime avokati se si ka rënë në dijeni për faktin që SPAK kishte lëshuar urdhër-arrest dhe se ai ishte nisur drejt kryeqytetit.
Po ashtu Lala tha se pasi ai u paraqit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, u transferua në paraburgim ku kaloi dhe natën. Deri më tani ai nuk ka shfaqur asnjë pretendim apo shqetësim shëndetësor. Mes të tjerash gazetarja tha se në një komunikim me avokatin e Dakos, Petrit Ismaili se ish-kryebashkiaku nuk e ka pranuar akuzën për shpërdorim detyre. Ndërkohë, pritet që gjykata nesër të caktojë masën e sigurisë.