Ballina Rajoni Takimi në Bruksel/ Vuçiç: Propozimi i BE-së nënkupton se Serbia nuk është...

Takimi në Bruksel/ Vuçiç: Propozimi i BE-së nënkupton se Serbia nuk është kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB

1

Dy ditë pas takimit të zhvilluar në Bruksel me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për propozimin franko-gjerman, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se nuk ka nënshkruar asgjë pasi sipas tij, propozimi i Bashkimit Evropian nënkupton se Serbia nuk është kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB.

Kjo nënkupton dhe prandaj nuk e kam nënshkruar. Kam folur tashmë për këtë. Ju të gjithë bëni naivë, dje u zgjuat sikur nuk e dini se francezët, gjermanët dhe amerikanët po avokojnë për një Kosovë të pavarur”, tha Vuçiç, raporton Tanjug

Më tej, ai u shpreh se do të vijohet me takime të tjera lidhur me propozimin e BE-së, ndërsa sqaroi më tej skeptikët, duke iu thënë se “asgjë nuk është negociuar fshehurazi për çështjen e Kosovës”.

 “Dua të them se çfarë po ndodh prej disa muajsh, që njerëzit ta kuptojnë pasqyrën e përgjithshme, sepse nuk bëhet fjalë për një anëtar, letër dhe një takim, dje në Bruksel është biseduar, nuk jemi marrë vesh, ne folëm, do të vazhdojmë dhe do të ketë edhe shumë biseda, asgjë më shumë se kaq”, tha Vuçiç.

Më tej, presidenti serb u shpreh se Asociacioni është mjaft i rëndësishëm për Serbinë dhe tema të tjera theksoi ai, do të diskutohen vetëm atëherë kur të formohet ZSO-ja.

ZSO është e rëndësishme, jo vetëm për Veriun. Po flasim për 10 komuna, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Kosovës, Zveçan, por po flasim edhe për gjashtë komuna në jug, nga Shtërpca deri në Graçanicë”, tha Vuçiç.

Të hënën (27 shkurt) u zhvillua një takim i nivelit të lartë për normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE, diskutime që zgjatën mbi 5 orë. Pavarësisht progresit të arritur, sërish palët nuk arritën në një marrrëveshje përfundimtare.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, gjatë konferencës për shtyp pas takimit me Vuçiç e Kurtin, tha se palët u zotuan që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar në Bruksel dhe se nuk nevojiten diskutime tjera sa i përket propozimit të BE-së për planin franko-gjerman.

Ky propozim i BE-së, kërkon që të dy vendet të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore. Po ashtu, Kosovës dhe Serbisë i kërkohet që të respektojnë pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial të tyre dhe të drejtën e vetëvendosjes.

Palët duhet të angazhohen që të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre me mjete paqësore, ndërsa Serbisë i kërkohet që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

/rtsh.al/