Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur akuzave të opozitës për çështjen McGonigal në mocionin e thirrur prej tyre në Kuvend. Rama e ka pranuar miqësinë me ish-zyrtarin e FBI-së, por mohon që të ketë pasur dijeni se opozita ishte financuar nga paratë ruse dhe të ketë ndërhyrë për të kërkuar fillimin e hetimeve ndaj kundërshtarit politik.
”E kam thënë dhe e përsëris po të kisha pasur çfarëdo informacioni më shumë se ato që dolën në media për faktin e tmerrshmë që rusët financonin opozitën më të madhe të këtij vendi për të rrëzuar qeverinë do tia kisha përcjellë kujtdo që të mundja pa asnjë diskutim, organizatave partnere të ndjeshme për këtë çështje, edhe FBI-së pa tjetër. Problem për vendim do të ishte e kundërta sikur unë të kisha informacion që rusët hidhnin para për birrat e këndimin e himnit tek çadrat poshtë qeverisë dhe të mos e tregoja”, u shpreh Rama.
Duke lexuar faqet e akt-akuzës së drejtësisë amerikane, Rama deklaroi se ai e ka takuar ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal, por nuk ka asnjë fakt apo provë për kompromentimin e tij në këtë aferë.
“Ai është takuar me mua në Shqipëri, krimi apo kompromentimi ku janë këtu? Akuza nuk flet për asnjë bisedë. Pastaj bisedat imagjinare janë çështje tjetër. Në 20 nëntor McGonigal u akuza me Kryeministrin e Shqipërisë në Shqipëri. Po shumë e saktë, dakord. Nuk e mbaj mend nëse ka qenë tamam 20. Po ata e kanë të saktë. Po fakti i krimit dhe kompromentimit ku është këtu. Do t’ua tregoj më mbrapa ku është?”, është shprehur nga foltorja e Kuvendit, Edi Rama.
Rama theksoi se ai nuk i ka kërkuar ish-agjentit të FBI-së që të lobojë kundër Partisë Demokratike. Madje ai theksoi se edhe po të mundte t’ia kërkonte një gjë të tillë, ai nuk do ta bënte dot në raportet e vendosur midis tij si kreu i qeverisë dhe një zyrtari amerikan.
“Një qytetar amerikan i regjistruar në SHBA për të lobuar për një parti që nuk është parti e kryeministrit. Këtë nuk kam asnjë aryse ta vë në dyshim. Por unë e kam mësuar si fakt pikërisht nga leximi i akt-akuzës. E vërteta është se shefi i FBI-së nuk ma ka thënë kurrë dhe as ia kam kërkuar diçka të tillë jo sepse më ka ardhur zor, apo se nuk do të doja t’ia kërkoja. Por se e di mirë kufirin etik mes pozicionit të kryeministrit dhe zyrtarit të lartë të Shteteve të Bashkuara. Po sidoqoftë, pyetja që shtrohet mbetet po ajo. Ku është këtu krimi apo kompromentimi?”, theksoi më tej Rama.