Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar sot se nuk ka shumë shpresa për takimin e radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Ajo pret ndërkohë nga komuniteti ndërkombëtar t’i bëjë presion Serbisë.
“Të bindet edhe Serbia që takimi që do të mbahet në Ohër është një momentum jashtëzakonisht i rëndësishëm në procesin e dialogut. Përmes kësaj marrëveshjeje, bashkë me një plan zbatimi, të zgjidhen shumë çështje, që më pas hapin dyert drejt njohjes reciproke”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq, më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është optimist për takimin e radhës me Aleksandër Vuçiçin, që do të mbahet më 18 mars në Ohër.
Megjithatë, Kurti thotë se jo gjithçka varet nga ai.
“Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt, në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar”, u shpreh Kurti.
Duke iu referuar takimit të fundit mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, kur sipas diplomatëve evropianë, palët kanë arritur pajtueshmëri për propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve, por që nuk është nënshkruar asnjë dokument.
Një ditë më parë Albin Kurti ka theksuar se ai është duke i analizuar 15 modelet evropiane që i ka ofruar Bashkimi Evropian për formimin e Asociacionit.
/rtsh.al/