Ballina Lajme Takimi i Stabilizim Asocimit BE- Shqipëri, Balla: Jemi tërhequr nga ligji anti-shpifje!...

Takimi i Stabilizim Asocimit BE- Shqipëri, Balla: Jemi tërhequr nga ligji anti-shpifje! Tabaku: PE flet shqip për shqetësimet e shqiptarëve

1

Në Bruksel është zhvilluar takimi i 15-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE – Shqipëri, ku seanca u drejtua nga Taulant Balla. Të pranishëm në seancë së bashku me deputetët të mazhorancës dhe opozitës shqiptare ishin edhe eurodeputetët e PE.

Në fokus të diskutimeve ishin 16 pika që nga liria e medias deri tek dialogu ndërpartiak për integrimin dhe rëndësinë e një qasjeje konsensuale ndaj reformës zgjedhore.

Gjatë fjalës së tij Balla ritheksoi edhe një herë që qeveria është tërhequr nga paketa anti-shpifje.

“Po e bëj të qartë kolegëve të PE se ligji anti shpifje është tërhequr zyrtarisht nga konferenca e kryetarëve me praninë e anëtarëve të opozitës. Para dy javësh konferenca e kryetarëve e pranoi kërkesën e qeverisë për të tërhequr këtë ligj dhe vendimi i është komunikuar edhe seancë plenare të Kuvendit shqiptar. Këtë mund ta verifikoni lehtësisht”, tha Balla.

Edhe deputetja e PD, Jorida Tabaku e pranishme në konferencë tha se me propozim të PD u diskutuan në PE disa nga problematikat e vendit siç janë shqetësimi për zgjedhjet, korrupsioni dhe ndikimi politik në drejtësi.

“Në PE dje dhe sot është folur shqip për shqetësimet e shqiptarëve. Me propozim të PD u miratuar një rezolutë për të futur në rend të ditës shqetësimi për zgjedhjet, eliminimi i çdo ndikimi të pushtetit në zgjedhje, abuzimi me të dhënat personale, përdorimi i parave publike për zgjedhjet. Shqetësimi kryesor është korrupsioni, lufta ndaj krimit të organizuar, eliminimi i ndikimit politik në sistemin e drejtësisë, media dhe azilkërkuesit”, tha Tabaku.

Debatet u fokusuan edhe në dy pika të rëndësishme 8 dhe 9 që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e përbashkët të forcave politike të Shqipërisë për të forcuar dialogun dhe bashkëpunimin konstruktiv politik ndërpartiak, rëndësinë e një qasjeje konsensuale ndaj reformës zgjedhore si dhe përmirësime të mëtejshme në zbatimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave, të drejtave pronësore, duke përfshirë të drejtat pronësore të pakicave, mbrojtjen e të dhënave, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe të drejtat e minoriteteve.