Ballina Lajme Superstrada Levan-Tepelenë nuk plotëson standardet e sigurisë rrugore

Superstrada Levan-Tepelenë nuk plotëson standardet e sigurisë rrugore

1

Superstrada Levan-Tepelenë është bërë një aks tepër i rrezikshëm prej aksidenteve dhe pasigurisë që ajo mbart. Problematikën e kësaj rruge e shprehin banorët e fshatrave që përshkon ky aks rrugor në Kafaraj, Frakull, Cakran, Vreshtas, Buzmadh.

Sipas tyre mungesa e mbi dhe nënkalimeve në kryqëzimet që lidhen me qendrat e banuara i detyron kalimtarët por edhe fermerët të përballen me fluksin e lartë të automjeteve dhe të rrezikojnë edhe jetën.

“Nuk ka nënkalime dhe mbikalime që është rregulli numër 1 për rrugët. Ja vjen tjetri me dele, si do kalojë, s’ka ku të kalojë, delja z’di makinë ajo do kalojë, duhen patjetër, ja shoku jonë ka humbur jetën”, shprehet njëri prej banorëve.

“Nuk kaloj dot, vij deri aty, shikoj kështu por nuk shoh mirë nga sytë se jam 90 e ca vjeç dhe nuk kaloj dot. Po të kishte mbikalim, kaloja pa frikë, pse të dërgojë një fëmijë 4- 5 vjeç një bidon me ujë gjyshit apo babit, se ku do shkojë, s’ka ku të shkojë”m shpreh shqetësimin një i moshuar.

Që prej vënies në funksion të kësaj arterie të rëndësishme të infrastrukturës rrugore kombëtare, prej më shumë se një dekade banorët në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar ndërtimin e mbikalimeve dhe nënkalimeve me standarde për qarkullimin e automjeteve bujqësore për komunikimin me tokat dhe transportimin e prodhimeve bujqësore por të gjitha qeveritë nuk i kanë përfillur ato duke injoruar edhe rrezikun për jetën janë shprehur të intervistuarit.

Sipas tyre, në këtë rrugë edhe pse janë bërë shumë aksidente në të shumtën e rasteve me pasoja tragjike për jetën, shteti vazhdon të qëndrojë indiferent duke mos ndërtuar mbikalime, mungesa e të cilëve është bërë shkak për humbjen e shumë jetë njerëzish.

Edhe pse ky segment rrugor është i vetmi që lidh veriun e Shqipërisë, por edhe Kosovën dhe vendet e rajonit me pjesën jugore të vendit madje edhe Greqinë  ai nuk plotëson standardet e sigurisë rrugore.