Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha në komunikimin e përjavshëm me gazetarët ka komentuar sulmin e Gert Shehut ndaj tij në protestën e 6 dhjetorit. Berisha ka akuzuar Kryeministri Edi Rama si porositësin e sulmit ndaj tij. Sipas Berishës, për Shehun nuk ekziston asnjë dokument që vërteton se është i sëmurë i papërgjegjshëm.
“Policia zbuloi veten duke u shërbyer mediave. Publikoi një dokument antiligjor me titull: atij që mund t’i interesoj. E akuzoj Edi Ramës si porositës sepse për pacientin e Ramës nuk ekziston asnjë dokument që e vërteton se është i sëmurë i papërgjegjshëm. Dokumente të kësaj natyre policia nxjerr në mënyrë të paligjshme për të nxjerrë nga baza e ligjit agjentë apo informatorë. Një dokument i tillë, nuk lëshohet kurrë për një të sëmurë i cili gëzon me kodin më të lashtë të mjekësisë sekretin e sëmundjes së tij, sekretin e të dhënave personale. Shteti për të sëmurë psiqik ka të përcaktuar me ligj kanalet zyrtare që nuk janë respektuar. Rama me propagandën e tij tund një dokument që është i paligjshëm dhe s’mund të lëshohej kurrë nga një mjek në këtë formë. Vetë mjeku pohon se këtë dokument ia ka dërguar dhe policisë. Ka procedura ligjore se si policia kur i duhen merr të dhënat e qytetarëve, ka prokurori, gjykata, vendime, asgjë nuk justifikon dorëzimin e një dokumenti të tillë policisë, qoftë për të shpëtuar nga ndëshkimi informatorin e vetë”, tha Berisha.
Kreu demokrat paralajmëron Ramën se opozita do i japë përgjigjet e merituara, ndërsa e konsideroi 6 dhjetori si triumf të opozitës.
“Ju e dini, Gert Shehu është arrestuar së bashku me 4 të tjerë te Liqeni duke shpërndarë drogë, por normal policia këtë se ka dorëzuar në gjykatë se ai ishte i infiltruari i saj. Një informator policie ka një përzgjedhje të caktuar. Aktin e parë që do bënte në rast se mësonte informacionin më të vogël për një gjë të tillë do ja paraqiste shtetit. Shërbimet kanë veprimet e tyre, por akuza të pabaza s’mund të ngre, ky ishte njeriu i policisë. Ju e shihni. Rama po e mbron për llogari të shërbimeve të huaja? Jo, por sepse qëndron prapa skenarit. Sulmi fizik i Edi Ramës ndaj Sali Berishës, është tërësisht i porositur. Përpjekja e tij për të shuar çdo shpresë hetimi me makinerinë e tij zyrtare dhe propagandistike e fajësojnë atë për herë të dytë. Autorët e vërtetë janë ata që po përpiqen ta shpëtojnë kamikazin pa eksploziv nga barra e krimit. Data 6 dhjetor ishte triumfi i opozitës. I faktoi mbarë botës sa të drejtë ka kjo opozitë në tezat dhe qëndrimet e saj. Ja them prapë sot, mund të godasësh një njeri, edhe mund të vritet, por për një kauzë nuk vdes kurrë. Opozita Edi Ramës do i japë përgjigjet e merituara”, tha Berisha.