Ballina Lajme Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, zyrtarja amerikane kritika NATO-s: Nuk u ofrua mbështetja...

Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, zyrtarja amerikane kritika NATO-s: Nuk u ofrua mbështetja e nevojshme teknike

1

Zyrtare amerikane e sigurisë kibernetike, Anne Neuberger, ka kritikuar NATO-n në lidhje me reagimin e aleancës pas sulmit kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë.  

E pranishme në Romë, si përfaqësuesja e SHBA në takimin e aleancës për sigurinë kibernetike, Neuberger u shpreh se NATO nuk ka qenë aq e shpejtë siç do të duhej në ofrimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë teknike për Shqipërinë që, sipas saj, ishte shumë e nevojshme.

Kërcënimet kibernetike evoluojnë me teknologjitë moderne dhe NATO ka evoluar vazhdimisht, por duhet të jetë më e shpejtë në ofrimin e mbështetjes teknike nëse një shtet aleat goditet nga një sulm kibernetik i rëndësishëm. NATO lëvizi shpejt në atë rast  për t’i ofruar mbështetje reagimit dhe mbështetje politike Tiranës. Por realiteti është se ne nuk kemi qenë aq të shkathët sa mund të ishim në ofrimin e kësaj mbështetjeje të drejtpërdrejtë teknike, e cila ishte e nevojshme. E megjithatë duhet të nënvizoj se kjo mbështetje ka qenë historike”, tha ajo.

Shqipëria u përball me sulme kibernetike, ku fillimisht u sulmuan sistemet qeveritare, ku prej gati 4 javësh ato mbetën të bllokuara. Më pas, më mbrëmjen e 9 shtatorit u sulmua sistemi TIMS. Shqipëria bëri përgjegjës Iranin për sulmet, duke ndërprerë edhe marrëdhëniet diplomatike me vendin. 

/rtsh.al/