Kryetari i bashkisë së Fierit Armando subnashi në fjalën e tij në krah të gjithë fituesve të bashkive të qarkut të Fierit do të adresonte përshëndetjen e tij në radhë të parë për të gjithë bashkëqytetarët e tij, por pa qenë selektiv mesazh bashkëpunimi dhe falënderimi iu ka dërguar dhe atyre që nuk e kanë votuar.
“Në radhë të parë do të doja të falënderoja të gjithë bashkëqytetarët e mi për votën, besimin, sigurisht dhe ata që nuk kanë votuar dhe ata që na votuan. Ne do të bëjmë një analizë shumë të hollësishme, do të shikojmë me kujdes dhe do të lexojmë padyshim të gjithë votën, për të bërë korrigjimet e duhura në të gjithë këtë proces. E kam thënë dhe gjatë fushatës që filozofia e Partisë Socialiste dhe e jona, ka qenë puna dhe vetëm puna dhe kështu do të jetë për katër vitet e ardhshme.
Padyshim përgjegjësia për herë të tretë është shumë herë më e rëndë se përgjegjësia për herë të parë. Unë e ndjej këtë gjë dhe jam i bindur që ritmi i punëve në këtë katër vjeçar do të jetë ndoshta shumë herë më i madh se në vitet e tjera. Beteja jonë e vërtetë në fakt është viti 2025, për të kthyer mandatin e dhjetë në Fier dhe për të vazhduar mandatin e katër me Edi Ramën.” tha Subashi në fjalën e tij përshëndetëse. Është fakt që premtimet dhe synimet e kryebashkiakut Subashi janë të mëdha dhe me peshë të ndjeshme në zhvillimin e ekonomisë së bashkisë së Fierit.
Gjatë gjithë fushatës së tij ai ka theksuar se bujqësia dhe turizmi do të jenë dy nga shtyllat e punës së institucionit të bashkisë duke realizuar projekte ambicioze sa përmes fondeve të bashkisë së Fierit, por edhe nga mbështetja e qeverisë shqiptare që për hir të së vërtetës e ka qenë e pranishme në mënyrë të vazhdueshme me financimet e saj madhore.
/Tv Kombi/