Ballina Lajme Politike Subashi para grave dhe vajzave: Për sa kohë që kemi punuar gjithë...

Subashi para grave dhe vajzave: Për sa kohë që kemi punuar gjithë këto vite për Fierin tonë, jam i bindur që rezultati për 14 majin është aty.

1
Kryeministri Edi Rama gjatë takimit në Fier me gratë dhe vajzat kërkoi që rolin e pazëvendësueshëm që kanë çdo ditë në familjet e tyre, ta kenë edhe më të plotë në shoqëri. “Sa më shumë partia të ketë gra dhe vajza, aq më shumë partia fiton. Më vjen mirë që ne sot kemi gjëra shumë për të thënë në vazhdim të punës dhe kemi shumë rezultate që kemi arritur, pavarësisht se ka akoma shumë për të bërë por një nga gjërat që më mbush me krenari për PS-në, është se kemi ndërruar tërësisht fytyrën e Shqipërisë në raport me vetveten dhe botën. Kemi sot qeverinë me më shumë gra dhe e kemi në krye të qeverive në klasifikimin e Kombeve të Bashkuara. Kemi sot të garantuar 50 % të vendeve në këshillat bashkiakë për gratë. Kemi sot më shumë gra në të gjitha nivelet e administratës. Ajo që është më e rëndësishmja është që edhe numri i grave që drejtojnë biznese po rritet dhe do të vazhdojë të rritet”, u shpreh ai.
Kryeministri Rama u shpreh se në Fier nuk do të diskutonte rezultatin, pasi aty mund të diskutojë vetëm për fuqinë e shembullit të PS për të gjitha degët e PS në të gjithë Shqipërinë. Kurse kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, kandidati i Partisë Socialiste, për të tretën herë në garën për bashkinë e Fierit në fjalën e tij përpara grave dhe vajzave të mbledhura në një takim elektoral do të thoshte: “Gjatë gjithë punës sonë këto vite jemi munduar maksimalisht që në të gjitha institucionet tona, por veçanërisht në bashki gratë të zënë peshën kryesore dhe nuk është rastësi sot që pothuaj 80% e administratës së bashkisë përbëhet nga gratë dhe vajzat. Padyshim që jam shumë krenar për këtë, jam shumë i kënaqur dhe të gjitha kanë qenë pjesë e sukseseve që kemi bërë gjithë këto vite në Fier.
Ndërkohë dhe në këshillin bashkiak gjysma e këshillit bashkiak jemi kujdesur që të jenë gra dhe vajza dhe padyshim që eksperienca e tyre në gjithë këto vite i ka dhënë këshillit jo vetëm vendosmërinë që i takon, por edhe për shkak të debateve, për shkak të diskutimeve dhe për shkak të vendimmarrjeve që kemi marrë aty kanë qenë të gjitha të duhurat dhe sot Fieri është më i bukuri se kurrë dhe na bën krenar të gjithëve. Duke u ndalur në zgjedhjet e 14 majit dhe rëndësinë e tyre ai do të pohonte: “Ne kemi një betejë përpara, kemi 14 majin. Me këtë shesh që shoh sot këtu, jam i bindur që ajo betejë është e fituar, sepse ne jemi Partia Socialiste dhe rezultatin e votës e kërkojmë vetëm te puna dhe vetëm te puna, dhe për sa kohë që kemi punuar gjithë këto vite për Fierin tonë jam i bindur që rezultati për 14 majin është aty.