Ballina Lajme Subashi nga Topoja: Në 15 maj ne do të vazhdojmë të jemi...

Subashi nga Topoja: Në 15 maj ne do të vazhdojmë të jemi në krye të punëve tona sepse do të jemi fitues, por edhe ti japim Edi Ramës mandatin e katërt qeverisës.

2
Gjatë një takimi me banorët e Topojës, kryetari aktual i bashkisë së Fierit Armando Subashi në fjalën e tij ka bërë një analizë të punëve të kryera ndër vite dhe është fokusuar së pari në zhvillimin dhe investimin e infrastrukturës rrugore të këtij fshati, një model, që do të ndiqet në çdo fshat të njësive vendore. Sipas tij vetëm në këto vite janë asfaltuar rreth 280 km rrugë në të gjithë sipërfaqen e bashkisë së Fierit, proces që do të vazhdojë dhe në të ardhmen.
Në drejtim të investimeve të sistemit bonifikues, Subashi ka përmendur faktin që me mijëra kilometra kanale vaditës dhe kullues janë përmirësuar dhe kanë bërë të mundur kullimin e një sipërfaqe të konsiderueshme tokash, por edhe vaditjen e tyre vit pas viti e rritjen e rendimenteve bujqësore. Ai ka analizuar disa nga arritjet e tjera të punës në dy mandatet duke i marrë me radhë ato të mirëmbajtjes së rrugëve, pasqyrimin dhe gjelbërimin e mjediseve, atë të ndriçimit ku pohoi faktin se krahas instalimit të nëntë mijë ndriçuesve, nga të cilët tre mijë kanë qenë me panele diellorë, pjesa tjetër ndriçues të zakonshëm, do të blihen këtë vit dhe do të instalohen dy mijë të tjerë. Kjo detyrë do të quhet e përmbushur kur ndriçimi të shkojë në shtëpinë e fundit të lagjes apo fshatit.
Në lidhje me shërbimin e transportit publik Subashi ka evidentuar faktin që nga 85 fshatra që ka bashkia në 68 prej tyre ofrohet ky shërbim. “Beteja për 2025 fillon në 15 maj, një ditë pas zgjedhjeve të 14 majit, prandaj jemi të vendosur që të vazhdojmë intesivisht me të gjitha punët, projektet të marrim këtë rezultat pozitiv për këto zgjedhje dhe në fund të fundit të kemi të gjithë të drejtën morale që edhe pas zgjedhjeve të 14 majit t’i themi kryeministrit Edi Rama që Fieri e tregoi veten cili është, kryeqyteti i socialistëve, Fieri mbështeti prapë PS, ndaj Fieri ka nevojë që të vazhdojë të mbështetet”- tha mes të tjerave kandidati Subashi duke e cilësuar si të garantuar fitoren e 14 majit. Nga ana e tij Taulant Balla është shprehur se në 14 maj do të kemi një rikonfirmim dhe një fitore të bindshme të kryetarit Subashi, por ai ka kërkuar që nga këto votime të kemi votat dhe për këshillin bashkiak me qëllim që këshilli bashkiak të luajë rolin e parlamentit.
‘‘Kjo është një zonë që e ka lidhur ekonominë e vet me bujqësinë dhe na duhet të bëjmë detyrat tona që lidhen me infrastrukturën bujqësore, theksoi Balla. Kemi bërë një punë të mirë, por puna më e madhe na pret përpara. PS i ka dhënë besimin Armandos për një mandat tjetër në krye të bashkisë së Fierit. Armando Subashi është një ndër kryetarët më të mirë që ka PS pa asnjë lloj dyshimi’’ Ai ka theksuar se anëtarët e këshillit duhet ta harrojnë që do të shkojnë një herë në muaj në mbledhje dhe nuk kanë asnjë punë tjetër, por sipas tij anëtarët e këshillit do të bëjnë rolin e deputetit për lagjen, fshatin, njësinë ku ata janë zgjedhur.
Ai ka kërkuar që ashtu si do t[i jepet vota Armandos për kryetar bashkie t‘i jepet Edi Ramës dhe anëtarëve të këshillit për Partinë Socialiste. ‘‘Është koha që t’i themi çdo demokrati që ne duhet të votojmë me dashuri për Fierin dhe e them me plot bindje që kush e do Fierin, kush e do Topojën voton Armando Subashin dhe PS. Kush do që punët që kemi nisur t’i vazhdojmë, punët që nuk i kemi bërë, por që do t’i bëjmë duhet të votojmë Armando Subashin dhe PS’’-u shpreh Balla në këtë takim.
/Tv kombi/