Në takimin me banorët e fshatit Kallm i Vogël në njësinë administrative Mbrostar, kryetari i bashkisë Armando Subashi ka garantuar se me fitoren e 14 majit do të vazhdohet rruga transformuese e të gjitha njësive në bashkinë e Fierit, pasi edhe këtë herë do të sigurohet mbështetja e vazhdueshme e kryeministrit Edi Rama, që nuk ka munguar asnjëherë për komunitetin fierak. Ai ka pohuar se në këto zgjedhje si forcë politike, si bashki, shkojnë te komuniteti ballë lartë pasi filozofia e tyre ka qenë puna dhe punët janë treguesi i qartë i përmbushjes së synimeve dhe objektivave ndër vite.
Duke u ndaluar në punët e kryera në drejtim të infrastrukturës Subashi ka pohuar se me investimet në Mbrostar, Kallm i Madh dhe Kallm i Vogël është krijuar një nga unazat bujqësore më të mirat jo vetëm në qarkun e Fierit, por ndoshta dhe më gjerë. “Nëse sot kemi arritur që çdo fshat ta lidhim me asfalt me qendrën e njësisë administrative, faza tjetër është ajo e investimeve në akset kryesore të fshatrave dhe rrugëve në brendësi të tyre”,- ka pohuar Subashi. Ai është ndalur dhe në drejtim të investimeve në veprat bonifikuese dhe konkretisht në të gjashtë kolektorët e mëdhenj që përshkojnë fushën me drejtimin lindje-perëndim dhe duke vazhduar më pas me degët lidhëse të këtyre kolektorëve. Tashmë çdo vit shtohet sipërfaqja e vaditshme duke ndihmuar fermerin në rritjen e rendimentit të prodhimeve bujqësore.
Ai është ndaluar dhe në investimet e kryera dhe që do të pasohen nga të tjera si rasti i ndriçimit me dy mijë ndriçues të rinj, apo edhe përfitimet e komunitetit nga një linjë transporti dedikuar atyre. Në fjalën e tij Subashi ka garantuar se të gjitha kërkesat që kanë parashtruar kur është hartuar buxheti i këtij viti janë përkthyer në investime dhe aktualisht po vazhdohet të punohet sipas parashikimeve me ndërmarrjen e punëve publike, mirëmbajtjen e rrugëve rurale, pastrimin etj.
“Për Partinë Socialiste, për kryesinë e saj, vendimi për të rikonfirmimin e Armando Subashit në krye të bashkisë së Fierit ishte një vendim që nuk ishte i vështirë, por një vendim që buronte nga komunikimi që ne patëm ne pjesën më të madhe të banorëve të Fierit, të cilët vlerësojnë punën serioze të bërë nga bashkia e Fierit në këto tetë vite.”-është shprehur në këtë takim i deleguari i qarkut, deputeti socialist Taulant Balla duke shtuar se si punohet në Fier nuk gjen bashki tjetër në Shqipëri.
Balla ka vlerësuar gjithashtu dhe mënyrën se si punohet në këtë bashki, në të cilën punohet me seriozitet, punohet me një plan me qëllim që fondet të shpërndahen në qytet por dhe në fshat. “Të shpërndahen investimet aty ku ishin nevojat reale të banorit dhe e vërteta është që unë jam shumë krenar për punën që bën çdo ditë bashkia e fierit sa i përket infrastrukturës së bujqësisë.”-ka vazhduar më tej Balla. Por në këtë përballje me elektoratin dhe banorët Balla ka theksuar se kjo ardhja ka dy qëllime atë të shprehjes së falënderimeve për mbështetjen që iu kanë dhënë, por edhe për të kërkuar shumë ndjesë për ato që nuk janë bërë. Për këtë ai ka kërkuar mbështetjen në këtë mandat të ri që Edi Rama dhe Aramando Subashi të punojnë së bashku të dy për Kallmin e Vogël, atë të Madhin, Mbrostarin dhe gjithë Fierin
Ai ka kërkuar peshimin e votës me qëllim që ajo t’iu jepet njerëzve të punës dhe në këtë bashki janë bërë punë të mira.
Edhe në këtë takim deputeti Taulant Balla ka theksuar rëndësinë që merr parlamenti vendor që duhet të jetë me shumicë socialiste për të kontrolluar dhe marrë vendime në dobi të punës së bashkisë dhe zbatimin e projekteve të së ardhmes.