Ballina Lajme Politike Subashi në rajonin nr.3: Ta shndërrojmë Fierin në një portë të rëndësishme...

Subashi në rajonin nr.3: Ta shndërrojmë Fierin në një portë të rëndësishme të turizmit turistik në të gjithë Shqipërinë.

3

Kryetari i bashkisë Armando Subashi është takuar me banorët e lagjeve “8 Shkurti” dhe “29 Nëntori” në Rajonin Nr.3 me të cilët ka shpalosur synimet për vazhdimësinë e qeverisjes së kësaj bashkie në të katër vitet e ardhshme të cilat do të sjellin një ndryshim të thellë në të gjitha njësitë e saj. 

Gjatë fjalës së tij Subashi ka theksuar lënien jashtë vëmendjes së bashkisë së Fierit nga qeverisja Berisha për arsyen e thjeshtë, sepse socialistët e Fierit i kanë dhënë kurdoherë përgjigjen e merituar duke votuar forcërisht Partinë Socialiste. Për këtë qëllim asnjë projekt zhvillimi nuk është realizuar në ato vite sa në bashkinë e Fierit, ashtu dhe në të gjitha komunat e saj, që tashmë përbëjnë nëntë njësitë administrative të bashkisë së Fierit e formuar me ndarjen e re territoriale.

Duke analizuar çfarë është bërë dhe çfarë pritet të bëhet, Subashi ka bërë një përshkim të punëve të qytetit të Fierit, ku ka veçuar rehabilitimin e lumit Gjanica në dy faza dhe fillimin e fazës së tretë investuese e cila do të shtrihet nga ish-shtëpia e oficerëve deri në ish-furrat e bukës. Sipas tij me këtë investim qyteti i Fierit do të  fitojë një gjatësi lumi rreth 5 km tërësisht të ndryshuar. Ai ka kujtuar tetorin e vitit 2015, që shënoi dhe përmbytjen e fundit nga Gjanica pasi filloi puna për rehabilitimin e tij. Synimi, ka përmendur Subashi, është zhvillimi i pjesës lindore të lumit, si pjesë e asaj strategjie me qëllim që Fieri të kthehet në qendër të aktiviteteve të rëndësishme kulturore që zhvillohen në Shqipëri. Ashtu si “AirAlbania” i jep Tiranës atë pamje moderne, ashtu dhe kompleksi, që do të ndërtohet në këtë pjesë do të japë një pamje të transformuar të qendrës së qytetit të Fierit duke u barazuar kështu me zhvillimin e pjesës perëndimore të tij.

Ai është ndaluar në investimet në brendësi të lagjeve të rajonit nr.3 ku në sajë të buxhetit të bashkisë janë investuar sheshet e pallateve, rrugicave duke sistemuar dhe pjesët e mbetura. Ai është ndalur dhe në disa momente të punëve të kryera në këtë bashki si  ndriçimi publik dhe ai dekorativ do t’i japë një pamje tjetër qytetit, rrugicave dhe blloqeve të banimit. Sipas tij janë vendosur 9 mijë ndriçues dhe në vijim do të vendosen dhe dy mijë të tjerë. Në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm Subashi ka dhënë lajmin e fillimit të investimit të fazës së pestë në ujësjellës nga qeveria gjermane, që përfshin zonën nga kodrat e lagjes “1 maji” në  Sheq i Madh dhe i Vogël dhe pjesa perëndimore Qenasdhe Mbrostar Ferko duke zgjidhur problemin me ujë të pijshëm në të gjithë qytetin me presionin maksimal.  Sipas Subashit filozofia e punës së bashkisë është investime të kompletuara në rrugë, trotuare, ndriçim, korsibiçikletash, sinjalistikë rrugore. Pjesë e diskutimit kanë qenë dhe situata në godinat arsimore dhe planet investuese në të ardhmen në këtë rajon.

Subashi ka parashtruar dhe projektet investuese për të ardhmen. Në bashkëpunim me qeverinë dhe me federatën  shqiptare të futbollit shumë shpejt do të fillohet nga puna për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit modern aq shumë i munguar për Fierin me dekada të tëra. Po përfundohet projekti i pallatit të sportit dhe do të shihet mundësia e financimit, punohet në rehabilitimin e rrugës “Kastriot Muço” me të njëjta standarde që janë vendosur me synim lidhjen e qendrës me spitalin “Memorial” rajonal. Është gati projekti dhe shumë shpejt do të fillojë nga puna për rrugën “Aulona” nga rrethrrotullimi i QTU-së deri tek hekurudha, do të fillohet rikonstruksioni i unazës lindore të qytetit me të gjitha parametrat e saj urbanë nga rrethrrotullimi i Sheqit e deri te rrethrrotullimi i QTU-së. Është  përfunduar projekti dhe është gati të bashkëfinancohet vazhdimi i unazës perëndimore të qytetit e cila ka ngelur përgjysmë që para shumë vitesh nga anekset e stadiumit dhe deri te rrethrrotullimi i Azotikut.  Ndërkohë investimet realizohen me ritme të larta projektet e nisura duke vazhduar të quhet “Fieri, një kantier investimesh”.

Rëndësi e veçantë do ti kushtohet lidhjes me zonën e bregdetit përmes investimit në rrugën e Semanit dhe zbatimin e një projekti modern në gjatësinë e 27 km vijë bregdetare e pastër ende e paprekur nga ndërtimet informale. Ai ka theksuar se së bashku me turizmin bregdetar, me atë antik, turizmit kulturore synohet, sipas Subashit, shndërrimi i Fierit në një portë të rëndësishme të turizmit turistik në të gjithë Shqipërinë.

Subashi ka kërkuar mbështetjen e banorëve fierakë për të vazhduar rrugën e transformimeve, por edhe për të siguruar mandatin e katërt të kryeministrit Edi Rama dhe të Partisë Socialiste. /TV Kombi