Ndryshimet që ka pësuar Fieri në këto vite e kanë shndërruar qytetin në një ndër më të bukurit në vend, por njëkohësisht është rritur vlera e pronës duke ndikuar në aspektin ekonomik të tij, ka pohuar kryetari i bashkisë Armando Subashi gjatë takimit me banorët e lagjes “Sheq i madh”. Ai është ndalur në të ashtuquajturat “punët e vogla” por me ndikime shumë të mëdha në jetën e komunitetit, pikërisht në drejtim të përmirësimit të gjendjes së rrugëve, kanalizimet e ujërave të zeza, të gjelbërimit e ndriçimit, të krijimit të këndeve të pushimeve dhe trotuareve.
Duke iu referuar lagjes “Sheq i madh” Subashi ka përmendur faktin që duke pasur një numër të madh shtëpish private dhe numri i rrugëve dhe rrugicave është më i madh dhe pavarësish punëve që janë kryer në këtë lagje ka ende shumë punë për t’u bërë. Ai ka premtuar që në vitin e ardhshëm të gjitha rrugët dhe rrugicat e kësaj lagjeje do të jenë të shtruara tërësisht me asfalt.
Në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm Subashi ka dhënë lajmin e fillimit të investimit të fazës së pestë në ujësjellës nga qeveria gjermane, që përfshin zonën nga kodrat e lagjes “1 maji” në “Sheq i Madh” dhe “Sheq i Vogël” e deri te Vija e Ngjalës, dhe pjesa perëndimore Qenas dhe Mbrostar Ferko duke zgjidhur problemin me ujë të pijshëm në të gjithë qytetin me presionin maksimal. Sipas Subashit filozofia e punës së bashkisë është investime të kompletuara në rrugë, trotuare, ndriçim, korsi biçikletash, sinjalistikë rrugore. Pjesë e diskutimit kanë qenë dhe situata në godinat arsimore dhe planet investuese në të ardhmen në këtë rajon. Duke analizuar çfarë është bërë dhe çfarë pritet të bëhet, Subashi ka bërë një përshkim të punëve të qytetit të Fierit, ku ka veçuar rehabilitimin e lumit Gjanica në dy faza dhe fillimin e fazës së tretë investuese e cila do të shtrihet nga ish-shtëpia e oficerëve deri në ish-furrat e bukës.
Sipas tij me këtë investim qyteti i Fierit do të fitojë një gjatësi lumi rreth 5 km tërësisht të ndryshuar. Ai ka kujtuar tetorin e vitit 2015, që shënoi dhe përmbytjen e fundit nga Gjanica pasi filloi puna për rehabilitimin e tij. Synimi, ka përmendur Subashi, është zhvillimi i pjesës lindore të lumit, si pjesë e asaj strategjie me qëllim që Fieri të kthehet në qendër të aktiviteteve të rëndësishme kulturore që zhvillohen në Shqipëri. Ai është ndaluar në investimet në brendësi të lagjeve të qytetit janë investuar sheshet e pallateve, rrugicave duke sistemuar dhe pjesët e mbetura.
Ai është ndalur dhe në disa momente të punëve të kryera në këtë bashki si ndriçimi publik dhe ai dekorativ do t’i japë një pamje tjetër qytetit, rrugicave dhe blloqeve të banimit. Sipas tij janë vendosur 9 mijë ndriçues dhe në vijim do të vendosen dhe dy mijë të tjerë. Subashi ka parashtruar dhe projektet investuese për të ardhmen. Në bashkëpunim me qeverinë dhe me federatën shqiptare të futbollit shumë shpejt do të fillohet nga puna për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit modern aq shumë i munguar për Fierin me dekada të tëra. Po përfundohet projekti i pallatit të sportit dhe do të shihet mundësia e financimit, punohet në rehabilitimin e rrugës “Kastriot Muço” me të njëjta standarde që janë vendosur me synim lidhjen e qendrës me spitalin “Memorial” rajonal.
Është gati projekti dhe shumë shpejt do të fillojë nga puna për rrugën “Aulona” nga rrethrrotullimi i QTU-së deri tek hekurudha, do të fillohet rikonstruksioni i unazës lindore të qytetit me të gjitha parametrat e saj urbanë nga rrethrrotullimi i Sheqit e deri te rrethrrotullimi i QTU-së. Është përfunduar projekti dhe është gati të bashkëfinancohet vazhdimi i unazës perëndimore të qytetit e cila ka ngelur përgjysmë që para shumë vitesh nga anekset e stadiumit dhe deri te rrethrrotullimi i Azotikut.
Ndërkohë investimet realizohen me ritme të larta projektet e nisura duke vazhduar të quhet “Fieri, një kantier investimesh”. Rëndësi e veçantë do ti kushtohet lidhjes me zonën e bregdetit përmes investimit në rrugën e Semanit dhe zbatimin e një projekti modern në gjatësinë e 27 km vijë bregdetare e pastër ende e paprekur nga ndërtimet informale.
Projekte zhvillimi do të ketë sipas tij në Pishë Poro, Darëzezë, dhe në Hasturkas bashku me turizmin bregdetar, me atë arkeologjik, turizmit fetar dhe kulturor synohet, sipas Subashit, shndërrimi i Fierit në një portë të rëndësishme turistike në të gjithë Shqipërinë. Edhe në këtë takim Subashi jo vetëm ka kërkuar mbështetjen për zgjedhjen e 14 majit, por edhe për të siguruar mandatin e dhjetë të socialistëve në zgjedhjet e 2025 për të siguruar mandatin e katërt të kryeministrit Edi Rama dhe të Partisë Socialiste.