Të rinjtë e shkollave të mesme të bashkisë së Fierit i janë përgjigjur nismës për krijimin e kopshteve botanike. Ata po e përqendrojnë punën e tyre në ish-fushën e mbetjeve urbane e cila pas mbylljes së saj është shndërruar në një park të gjelbër me rreth 8 mijë pemë.
Gjatë inspetkimit të punës së ndërmarrë nga të rinjtë, kryetarit i bashkisë Armando Subashi, shndërrimin e fushës së mbetjeve në një park të gjelbëruar për qytetin e ka cilësuar si një ndër arritjet mjedisore vendore. Gjatë inspektimit të zhvillimit të kësaj sipërfaqe kryetari i bashkisë Subashi ka treguar se prej dy vjetësh kjo fushë me një hapësirë përmbi 70 mijë metrash katrorë është vënë tërësisht në një kontroll dhe po shndërrohet në një park të gjelbëruar, që do të jetë shumë i frekuentuar nga të gjithë banorët e qytetit, por jo vetëm.
Subashi ka bërë të ditur se për natyrën e pemëve dekorative që janë mbjellë në këtë fushë është marrë mendimi i agronomëve të bashkisë të cilët kanë sugjeruar mbjelljen e akacieve dhe eukalipte jo vetëm si drurë, por edhe moshën e duhur me qëllim që mos të kishte tharje të tyre pas mbjelljes
Sipas tij me mendimin e urbanistëve u pa e udhës që kjo sipërfaqe të merrte formën e një parku me trajtën e një kodrine të vogël. Ai ka bërë të ditur se në këtë sipërfaqe do të ndërtohen rrugë komunikimi për qytetarët, dhe fusha sportive, minikaceto apo dhe fusha tenisi.
Sipas tij deri në fund të muajit shkurt do të vazhdohet me mbjelljen e pemëve duke bërë që të mbillet e gjitha kjo sipërfaqe sipas parashikimeve, ndërsa më pas do të kalohet në nivelimin e kësaj zone. Ai ka mbështetur iniciativën e të rinjve për krijimin e kopshteve botanike në bashkinë e Fierit./Tv Kombi/