Ballina Lajme Stuhi në Shqipëri, reshje shiu, përmbytje dhe dëborë

Stuhi në Shqipëri, reshje shiu, përmbytje dhe dëborë

2

Nga dita e mërkurë priten ulje të temperaturave, duke i sjellë fundit “pranverës” dhe temperaturave të larta që pushtuan vendin gjatë ditëve të fundit. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, duke nisur nga pasditja e sotme do të nisin reshjet e shiut, që do të përfshijnë të gjithë vendin. Sot pasdite priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare ose intensive. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin. Edhe Tirana do të përfshihet nga reshje intensive shiu, ndërsa në zonat malore dhe ato bregdetare reshjet do të shoqërohen me erë të fortë.

Në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjëve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve. Temperaturat do të variojnë në bregdet: 10 / 11 °C; në vendet e ulëta: 9 / 10 °C; ndërsa në vendet malore: 4 / 8 °C. E sa i përket erës, ajo pritet të fryjë mesatare deri e fortë, kryesisht ne bregdet dhe zonat malore.