Ballina Lajme Spektakolare dhe drithëruese, disa nga qytetet fantazmë më të pabesueshme në botë

Spektakolare dhe drithëruese, disa nga qytetet fantazmë më të pabesueshme në botë

1

Qytetet fantazmë jane qytetet e braktisura dhe krejtësisht të pabanuara. Sot, shumë prej këtyre qyteteve janë kthyer në një atraksion turistik për sharmin që kanë, duke qenë vende ku koha duket se ka ndalur. Shumë herë, sharmit të këtyre vendeve i shtohet një atmosferë misteri. Herë të tjera, këto qytete shndërrohen në sete filmash.

Kolmanskop, Shkretëtira e Namibit, Namibia

Ky qytet afrikan u ndërtua për të strehuar minatorët pas zbulimit të pranisë së një sasie të madhe diamantesh në këtë zonë. Pas Luftës së Parë Botërore, me pakësimin e minierave të diamanteve, Kolmanskop u braktis gradualisht dhe sot dunat e rërës kanë pushtuar shtëpitë.

Houtouwan, ishulli Shengshan, Kinë

Ky fshat i lashtë ndodhet në ishullin Shengshan, afër Shangait dhe ishte i banuar deri në fillim të viteve ’90. Vendndodhja e largët e ishullit, shkaktoi braktisjen e tij dhe sot shtëpitë janë të mbuluara tërësisht nga natyra e egër.

Ishulli Hashima, Japoni

Ky ishull ishte baza e një prej vendeve më produktive të minierave të Japonisë, por u braktis në vitin 1974 kur rezervat mbaruan. I përfshirë në listën e trashëgimisë së UNESCO-s, sot ishulli është i aksesueshëm për vizitorët.

Belchite, Zaragoza, Spanjë

Ky qytet u shkatërrua pothuajse tërësisht në vitin 1937 gjatë Luftës Civile Spanjolle dhe sot është riformuar tërësisht nga natyra. Ajo që ka mbetur nga fshati është sot një dëshmi e tmerreve të luftës.

Burj Al Babas, Mudurnu, Turqi

I vendosur rrëzë kodrave të Mudurnu, ky fshat i braktisur është rezultat i një investimi të dështuar. Projekti përfshinte ndërtimin e një qyteti të përbërë vetëm nga kështjella (732, të gjitha identike) në Disneystyle, por me dështimin e konsorciumit të kompanive që duhej të kujdeseshin për ndërtimin e tij, vendi u braktis dhe punimet nuk përfunduan kurrë.

Varosia, Famagusta, Qipro

Më shumë se një qytet i vërtetë, Varosia është një lagje e madhe e braktisur. E veçanta është se ky vend në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë ishte vendpushimi turistik më i kërkuar në Qipro, i aftë për të tërhequr turistë nga e gjithë bota, prandaj këtu u ndërtuan hotele luksoze, pothuajse të gjitha në det. Në gusht 1974 Qipro u pushtua nga ushtria turke dhe banorët e Varosisë u larguan.

Pripyat, Vyšhorod, Ukrainë

Ndoshta ky është qyteti fantazmë më i famshëm në botë, i braktisur pas katastrofës bërthamore të vitit 1986 në termocentralin e Çernobilit, i cili ndodhet dy kilometra larg Pripyat. Ky qytet prej 50,000 banorësh u evakuua dhe nuk mund të ripopullohet më për shkak të nivelit shumë të lartë të rrezatimit të pranishëm në zonë.

Plymouth, Montserrat Island, Mbretëria e Bashkuar

Plymouth ndodhet në ishullin Montserrat, një territor jashtë shtetit të Mbretërisë së Bashkuar në Antilet e Vogla. Ky qytet u evakuua dhe u braktis në vitin 1997, kur u shkatërrua u mbulua me hi për shkak të një sërë shpërthimesh vullkanike shkatërruese. Shkatërrimi i qytetit shkaktoi probleme serioze ekonomike, pasi Plymouth ishte qendra më e madhe urbane me rreth 4000 banorë, si dhe shtëpia e aktiviteteve kryesore ekonomike të ishullit.

Craco, Basilicata, Itali

Qendra e vjetër historike e Craco filloi të shpopullohej në vitin 1963 për shkak të një rrëshqitjeje dheu. Më pas, qyteti u braktis plotësisht në vitet tetëdhjetë. Fshati, për bukurinë e tij, është kthyer në një destinacion turistik dhe një set filmash.

Bodie, Kaliforni, Shtetet e Bashkuara

Bodie lindi si qendër minerare pas zbulimit të arit në këtë territor. Qyteti kishte dy banka, hekurudhën, sindikatat e minatorëve dhe punëtorëve, një burg dhe 65 salla. Kur në fillim të shekullit të njëzetë qarkullimi i lidhur me arin filloi të binte, qyteti u shpopullua në mënyrë progresive deri në mbylljen e minierës së fundit në vitin 1942. Sot, Bodie është një qytet fantazmë i Perëndimit të Largët, i shpallur në 1962 një Historik Shtetëror Parku dhe mund të vizitohet nga turistët sidomos në muajt e verës.

/rtsh.al/