Ballina Lajme SPAK heton ish-ministrin e shëndetësisë Beqaj, kontrolle te “Delta Pharma” dhe rrjeti...

SPAK heton ish-ministrin e shëndetësisë Beqaj, kontrolle te “Delta Pharma” dhe rrjeti i farmacive “Ditë Natë”

8

Prokuroria e Posaçme ka kryer kontrolle te “Delta Pharma” dhe rrjeti i farmacive “Ditë Natë”.

Mësohet se kontrollet janë zhvilluar në kuadër të hetimit pasuror që po kryhet ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili po udhëhiqet nga prokurorja Elida Kaçkini.

 

Kujtojmë se GJKKO ka urdhëruar që ish ministri të mos largohet nga territori i Shqipërisë dhe të paraqitet çdo të premte në policinë gjyqësore, pasi po hetohet për dyshime të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim gjatë procedurave të dhënies me koncension 100 milionë dollarë për 10 vjet nga ministria e shëndetësisë, që ai drejtonte, të shërbimeve të integruara për sterilizimet kirurgjikale spitalore.

Koncensioni i dhënë 8 vjet më parë parashikonte ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale.

Disa muaj më parë çështja, për të cilën ish ministri Beqaj është nën hetim për shpërdorim detyre në bashkëpunim, ka çuar në arrest me burg nën akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikim dokumentash në bashkëpunim dhe mashtrim ish zvëvendësministrin e shëndetësisë Klodian Rrjepaj si dhe biznesmenin që fitoi koncensionin Ilir Rrapaj.

Hetimet e kësaj çështje bazohen në dyshimet për shpërdorim të detyrës nga zyrtarët, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera kryer në bashkëpunim, si dhe korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë.

I dyshuari për mashtrim me pasoja të rënda biznesmeni Ilir Rrapaj fitoi koncensionin në dhjetorin e vitit 2015, ndonëse menjëherë në atë kohë lindën dyshimet për korrupsion dhe mosplotësim të kritereve ligjore.

Edhe 6 persona të tjerë u vendosën me të njëjtat akuza nën arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, si të dyshuar për bashkëpunim në këtë çështje përmes falsifikimeve dhe shpërdorimit të detyrës.