Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen ditën e sotme në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të arritur në një marrëveshje mbi normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky është takimi i radhës pas atij të 27 shkurtit në Bruksel, ku u ulën në bisedime me ndërmjetësimin e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ditën e sotme takimi mes Kurtit dhe Vuçiçit do të nisë me një përballje veç e veç mes tye dhe më pas do të jenë shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Borrell dhe Lajçak. Pas këtyre bisedimeve do të pasojë takimi i përbashkët, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Një ditë më parë Borrell tha se ka marrë sugjerimet e palëve në lidhje me aneksin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
“Shpresoj se Kosova dhe Serbia do të mund të bien dakord për rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve”, tha Borrell.
/rtsh.al/