Në 1 tetor të vitit 1971 nisi aktivitetin e tij Teatri ‘’Bylis’’, trupa profesioniste e të cilit ishte krijuar disa muaj më parë. Në skenën e tij do të shfaqej në këtë ditë, pjesa e parë dramatike, “Hijet e natës” e autorit Vedat Kokona.
Shfaqja u vu në skenë nga regjisori Leka Bungo nën interpretimin e aktorëve: Leonard Poro, Fitnete Tiço, Imelda Kiri, Shpëtim Shehu, Kujtim Jorgaqi, Suzana Prifti, Hatiqet Siqeca, Nestor Pogaçe, Koço Papadhopulli dhe Antigoni Golemi. Ndërsa skenografia u përgatit nga Agim Zajmi.
Një kronikë të zgjeruar të kësaj drame do ta pasqyronte edhe shtypi lokal i kohës, duke e cilësuar si një ngjarje të rëndësishme të jetës artistike dhe kulturore të qytetit të Fierit.
‘’Hijet e natës’’ në skenën e teatrit tonë të ri, do ta titullonte reportazhin e saj gazeta ‘’Drapër e Çekan’’, të datës 6 tetor 1971.
Pas premierës së shfaqur në Fier, do të zhvillohej edhe turneu i parë i kësaj trupe në disa qytete të Shqipërisë, e cila shumë shpejt do të shndërrohej në një ndër teatrot më të njohura të vendit.