Ballina Lajme Socialistët me planveprim të ri, zbulohen 7 shtyllat për rinovimin e strukturave...

Socialistët me planveprim të ri, zbulohen 7 shtyllat për rinovimin e strukturave të brendshme

1

Partia Socialiste po bëhet për një plan për rienergjizimin e strukturave, në mënyrë që të mbetet një alternativë fituese.

Socialistët u mblodhën të hënën në Pogradec për të parashtruar vizionin në Asamblenë e Zgjeruar të PS-së në Pogradec.

Duke ndalur në aspektet ekonomike të planit, kryeministri Edi Rama tha se gjithçka që është arritur deri tani është fryt i punës së përbashkët.

“Koha kur shkoje në Evropë dhe mund të kurseje mjaftueshëm për të imagjinuar të bëje plot gjëra ka mbaruar. Krahasimet rrogë me rrogë nuk vlejnë më. Sot kemi në dorë raportin e FMN-së, që thotë shprehimisht se Shqipëria ka një nga ekonomitë më rezistente të rajonit. Inflacioni ka qenë më i ulëti ndër mesataren e rajonit.

Jemi në një bazë të re të qëndrueshme për të synuar më shumë. Është shumë e rëndësishme që me buxhetin e vitit të ardhshëm kemi një zbritje të borxhit që s’e kemi pasur asnjëherë. Shkojmë te 60-përqindëshi. Ju e dini se na u desh ta rrisnim borxhin për t’u përballur me tërmete e histori. Si mund të zbresësh me kaq shumë për qind nëse ekonomia nuk është rezistente,” u shpreh z. Rama.

Shefi i qeverisë premtoi rritje të pagës mesatare për sektorin publik vitin e ardhshëm.

Në vitin 2024 do të kemi 400 milionë euro për rritje pagash. Siç e premtuam në fillim të vitit, do të rriten pagat për mësuesit, për mjekët e përgjithshëm, për infermierët, për punonjësit e policisë, për ushtarakët dhe patjetër për të gjithë punonjësit e tjerë të shtetit. Në vitin 2024, paga mesatare në sektorin publik do të shkojë 900 euro. Janë 250 milionë euro që do tëhyjnë në buxhet për indeksimin e pensioneve dhe 1/3 vetëm për mbrojtjen sociale në tërësi.

Unë e di që për pensionistët nuk do të mjaftojë asnjëherë ajo që ne bëjmë. Ne kemi një numër shumë të lartë pensionistësh dhe për këtë arsye edhe rritja e pensioneve është më e ngadaltë. Nëse ka një gropë që nuk e kemi mbyllur ende, është gropa e mbetur nga mungesa e kontributit të sigurimeve shoqërore,” deklaroi kryeministri Rama.

Sekretari Klosi tregon shtatë shtyllat e planit të rinovimit

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, tha se sekretariati organizativ ka bashkëbiseduar me të gjithë anëtarët dhe ka arritur në disa pika që do të miratohen në Kongresin e Përgjithshëm të radhës në dhjetor.

Kemi përgatitur një platformë të ndarë në shtatë shtylla kryesore. Do të jetë një plan veprimi për organizimin tonë të brendshëm.

Pa dyshim duhet që kjo të bëhet me takime, me mbledhje organizatash, por kryesorja është me prurje të reja. Na duhet të kuptojmë që kemi shumë arsye për të shtuar radhët. Duhet të përmirësojmë qelizën tonë.

Tre fusha kemi menduar se ku do të kërkohen anëtarësimet e reja. E para janë familjet socialiste, pjesa më aktive e partisë sonë. Duhet t’i thërrasim, t’i bëjmë pjesë aktive të jetës sonë.

Po ashtu na duhet që atë që bëjmë në fushatë me përfaqësuesit e komunitetit, duhet t’i kërkojmë të jenë pjesë e strukturave tona.

Një grupim i tretë po aq i rëndësishëm, të rinjtë dhe të rejat intelektuale, që e duan progresin, e duan fitoren e PS-së, por pse të mos jenë pjesë e strukturave socialiste.

Në çdo organizatë socialiste duhet të kemi prurje të reja, po të mendosh 5.400 organizata që ka PS-ja, do të bëhej një forcë shumë e madhe.

E treta janë forumet e hapura. Grupimet e caktuara në qytet, për problematika të caktuara, duhet të ketë grupe interesi. Do kërkojmë në çdo bashki të kemi 3-5 forume, duke kërkuar që jo vetëm të marrim vendimin e qytetarëve, por edhe një gjykim të drejtpërdrejtë se si po ecën qeverisja jonë. Na duhet mendimi alternativ.

E katërta është shtylla e profesionalizmit në PS. Mbas 32 vitesh eksperiencë e kemi kuptuar se çdo dy vjet kemi zgjedhje, prandaj nuk mund të jemi një parti si të tjerat që përgatiten vetëm për fushatë.

E pesta janë forumet mbështetëse. Nuk mjaftojnë vetëm Forumi i Gruas dhe FRESSH.

E gjashta është digjitalizimi dhe përhapja e mesazhit politik të Partisë Socialiste. Kemi bërë përpjekje titanike, edhe brenda PS-së, për të pasur zërin tonë duke shfrytëzuar internetin.

E shtata është Partia Socialiste shqiptare evropiane. Shqipëria në BE në vitin 2030 është guri ynë kilometrik,” tha z. Klosi.

/rtsh.al/