Ballina Lajme Politike Socialistët me planveprim të ri, zbulohen 7 shtyllat për rinovimin e strukturave të...

Socialistët me planveprim të ri, zbulohen 7 shtyllat për rinovimin e strukturave të brendshme

9

Partia Socialiste po bëhet për një plan për rienergjizimin e strukturave, në mënyrë që të mbetet një alternativë fituese.

Socialistët u mblodhën të hënën në Pogradec për të parashtruar vizionin në Asamblenë e Zgjeruar të PS-së në Pogradec.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, tha se sekretariati organizativ ka bashkëbiseduar me të gjithë anëtarët dhe ka arritur në disa pika që do të miratohen në Kongresin e Përgjithshëm të radhës në dhjetor.

“Kemi përgatitur një platformë të ndarë në shtatë shtylla kryesore. Do të jetë një plan veprimi për organizimin tonë të brendshëm.

Pa dyshim duhet që kjo të bëhet me takime, me mbledhje organizatash, por kryesorja është me prurje të reja. Na duhet të kuptojmë që kemi shumë arsye për të shtuar radhët. Duhet të përmirësojmë qelizën tonë.

Tre fusha kemi menduar se ku do të kërkohen anëtarësimet e reja. E para janë familjet socialiste, pjesa më aktive e partisë sonë. Duhet t’i thërrasim, t’i bëjmë pjesë aktive të jetës sonë.

Po ashtu na duhet që atë që bëjmë në fushatë me përfaqësuesit e komunitetit, duhet t’i kërkojmë të jenë pjesë e strukturave tona.

Një grupim i tretë po aq i rëndësishëm, të rinjtë dhe të rejat intelektuale, që e duan progresin, e duan fitoren e PS-së, por pse të mos jenë pjesë e strukturave socialiste.

Në çdo organizatë socialiste duhet të kemi prurje të reja, po të mendosh 5.400 organizata që ka PS-ja, do të bëhej një forcë shumë e madhe.

E treta janë forumet e hapura. Grupimet e caktuara në qytet, për problematika të caktuara, duhet të ketë grupe interesi. Do kërkojmë në çdo bashki të kemi 3-5 forume, duke kërkuar që jo vetëm të marrim vendimin e qytetarëve, por edhe një gjykim të drejtpërdrejtë se si po ecën qeverisja jonë. Na duhet mendimi alternativ.

E katërta është shtylla e profesionalizmit në PS. Mbas 32 vitesh eksperiencë e kemi kuptuar se çdo dy vjet kemi zgjedhje, prandaj nuk mund të jemi një parti si të tjerat që përgatiten vetëm për fushatë.

E pesta janë forumet mbështetëse. Nuk mjaftojnë vetëm Forumi i Gruas dhe FRESSH.

E gjashta është digjitalizimi dhe përhapja e mesazhit politik të Partisë Socialiste. Kemi bërë përpjekje titanike, edhe brenda PS-së, për të pasur zërin tonë duke shfrytëzuar internetin.

E shtata është Partia Socialiste shqiptare evropiane. Shqipëria në BE në vitin 2030 është guri ynë kilometrik,” tha z. Klosi.

/rtsh.al/