Ballina Lajme Ekonomi Skemë e re tatimore për shitjen e tokave në bregdet dhe dhurimin...

Skemë e re tatimore për shitjen e tokave në bregdet dhe dhurimin e pasurive të paluajtshme

1

Pavarësisht se mund të bëheni pronar i pasurive të paluajtshme si: shtëpi, dyqane, toka, troje, objekte të ndërtuara, madje edhe të një biznesi,  etj., qoftë nëpërmjet trashëgimisë apo dhurimit nga familjarët apo persona të tjerë, të gjithë shtetasit në Shqipëri, do të jenë objekt i “tatimit mbi të ardhurat nga trashëgimitë dhe dhurimet”.

Tatimi do të zbatohet edhe në rastin kur personat heqin dorë nga pronësia.

Këto janë ndryshimet më të fundit në kuadrin ligjor të ligjit “Mbi tatimin për të ardhurat”, që publikohet nga rtsh.al, që lidhen me “të ardhurat e tatueshme nga investimi për tjetërsimin e pasurive të paluajtshme”.

Të ardhurat e tatueshme të investimeve nga tjetërsimi i pasurisë do të përcaktohen si diferencë midis çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes së pasurisë.

Nga ana tjetër, çmimi i blerjes në lidhje me të ardhurat e patatueshme të investimit nga tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme, sipas ligjit, nuk do të mund të zbritet nga baza e tatimit.

Pasuritë e trashëguara apo të dhuruara

Ndryshimet në ligji kanë ngushtuar edhe hapësirën duke bërë më fikse skemën në lidhje me tatimin për tu paguar në rastin e të bërit pronar të pasurive të paluajtshme.

Ligji specifikon se në rastin e pasurisë së paluajtshme, që është fituar me trashëgimi ose dhurim, ose heqje dorë nga pronësia, çmimi i blerjes për qëllime tatimore do të jetë vlera e tatueshme e pasurisë së dhuruar ose trashëguar në momentin e marrjes.

“Nëse të ardhurat e tatueshme nga investimi, rezultojnë me humbje në një vit tatimor, të ardhurat e tatueshme të investimeve nga tjetërsimi i pasurisë konsiderohen të jenë zero”- thuhet në ligjin e ri për “Tatimin mbi të ardhurat”.

Nga ana tjetër, pavarësisht deklarimeve në zyrat noteriale të shitjes së pasurive të paluajtshme midis shitësit, dhuruesit dhe personit që bëhet pronar, çmimi i shitjes së pasurisë së paluajtshme do të vlerësohet me çmimin më të lartë ndërmjet çmimit të shitjes sipas kontratës dhe çmimit referues të përcaktuar në aktet në fuqi për pasurinë e paluajtshme.

Pra, personi që përfiton ose ai që e shet apo e dhuron, ose që e kalon pasurinë e paluajtshme në pronë të tij nëpërmjet trashëgimisë, do të tatohet mbi bazën e çmimit referues të përcaktuar për çmimet e referencës për pasuritë e paluajt[1]shme.

Blerja e tokës në bregdet, shkëmbimi i trojeve

Lidhur me vlerën e blerjes së tokës në rastin e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë për tokën, me të drejtën e pronësisë së ndërtesës, e cila ndërtohet në atë vend, llogaritë do të bëhen mbi çmimin e referencës së tokës për metër katror të miratuar me vendim të qeverisë për qytetet dhe zonat brenda qytetit.

“Çmimi i shitjes llogaritet me një referencë të vlerës së tregut të pronës së paluajtshme të fituar në këmbim të tokës, duke marrë parasysh të gjitha pjesët e sipërfaqes së ndërtimit nga të cilat përfiton pronari i tokës. Shkëmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, në bazë të një kontrate shkëmbimi, nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme. Metodologjia për llogaritjen e çmimit të blerjes dhe të shitjes përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”- thuhet në ligjin e ri.

Si do të paguhet tatimi?

Tatimi mbi të ardhurat personale, në lidhje me të ardhurat nga investimet nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme, sipas ligjit të ri, do të duhet të paguhet nga personi fizik që transferon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, para regjistrimit të pasurive të mësipërme në regjistrin e pasurive të paluajtshme.

Institucioni përgjegjës i regjistrit të pasurive të paluajtshme nuk e regjistron pasurinë e paluajtshme, derisa pagesa e tatimit të jetë konfirmuar.

“Institucioni përgjegjës për regjistrimin e pasurive të paluajtshme transferon brenda datës 20 të muajit të ardhshëm në llogarinë e administratës tatimore tatimin e mbledhur. Ministri përgjegjës për financat dhe institucioni që ka në fushën e përgjegjësisë regjistrimin e pasurive të paluajtshme përcaktojnë me udhëzim të përbashkët kushtet, procedurat dhe metodologjinë për zbatim”- thuhet në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”.

/rtsh.al/ a.meta