Ballina Rajoni Situata në Veri të Kosovës, Serbia mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Situata në Veri të Kosovës, Serbia mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

0

Në Beograd po mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç si dhe kryeministrja Ana Bërnabiç.

Kjo seancë po zhvillohet një ditë pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Të premten, më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë u asistuan nga Policia e Kosovës, pasi grupe të banorëve vendas kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat, që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.

Një ditë më herët, ata ishin betuar në shkolla dhe ndërtesa të tjera publike të këtyre komunave për shkaqe sigurie. Në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna armësh, ndërkaq Policia e Kosovës njoftoi se të paktën pesë zyrtarë policorë pësuan lëndime.

Rritja e tensioneve u dënua nga faktori ndërkombëtar, ndërkaq Serbia ngriti gatishmërinë luftarake.