Situata në veri të Kosovës vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar se ata nuk do të tërhiqen nga qëndrimi i tyre.
Në një postim në rrjetin social Instagram, Vuçiç shkruan se Serbia ka marrë vendimin për të mos u dorëzuar, ndërsa ngritjen e barrikadave nga serbët në veri të Kosovës e justifikon me argumentin e se ata “nuk kishin rrugë tjetër.
Ai thekson se mënyra e vetme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është respektimi i të drejtave dhe lirive të serbëve.
“Nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim, ky është vendimi i Serbisë dhe mesazhi im për popullin tonë në Kosovë e Metohi, i cili sërish detyrohet të mbrojë vatrat e tyre në barrikada. Mesazhi për të gjithë të tjerët është që të formohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], të respektohen të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të sillen në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe të drejtën ndërkombëtare, sepse kjo është mënyra e vetme për të filluar normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi ai.
/rtsh.al/