TIRANË- Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka njoftuar se pas sulmit kibernetik ndaj e-albania dhe faqeve të tjera qeveritare, do të shtyhet afati i regjistrimit për klasat e para dhe të dhjeta.
Në një njoftim në rrjetet social Kushi tha se dëshiron të garantojë prindërit dhe nxënësit se kjo shtyrje nuk do të ndikojë në procesin e regjistrimit.
Pas mbylljes së detyrueshme të shërbimeve publike të platformës e-Albania nga ana e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për shkak të sulmit kibernetik, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të shtyjë afatin e regjistrimeve në klasa të para dhe të dhjeta për një afat të pacaktuar.
“Për shkak të sulmit kibernetik ndaj platformës e-Albania, e cila ndikon edhe procesin e regjistrimit për nxënësit në klasa të para dhe të dhjeta, kemi vendosur që afatin e regjistrimeve ta shtyjmë deri në një datë të pacaktuar.
Dëshiroj të garantoj prindërit dhe nxënësit se kjo ndërprerje nuk do të ndikojë aspak në procesin e regjistrimit, dhe se çdo nxënës do të ketë mbështetjen tonë të nevojshme deri në finalizimin e procesit. Në vijim do t’ju informojmë përsëri për rihapjen e aplikimeve dhe afatet e reja të regjistrimit”- shkruan ministrja.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi dje se është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e tyre në shërbimet publike për shkak të një sulmi kibernetik. Në njoftim thuhet se për një kohë të pacaktuar qytetarët nuk do të mund të kenë akses në faqet e shërbimeve online si dhe ato qeveritare deri në momentin që të neutralizohen sulmet dhe të jenë të sigurta, duke mos rrezikuar të dhënat personale.