Ballina Lajme Shtyhet gjyqi për rusen e akuzuar për spiunazh, mbrojtja kërkon kohë për...

Shtyhet gjyqi për rusen e akuzuar për spiunazh, mbrojtja kërkon kohë për njohjen me konkluzionet përfundimtare në gjuhën ruse

1

Shtyhet për më 4 prill ora 14:00 gjyqi për ekstradimin e shtetases ruse Svetlana Timofeeva. Kjo pasi mbrojtja kërkoi kohë për njohjen me konkluzionet përfundimtare në gjuhën ruse.

Svelana Timofeeva pati kërkuar në seancën e shkuar të njihet me kërkesë në gjuhën ruse për lejimin e ekstradimit.

Por sot mbrojtja kërkoi kohë për njohjen me konkluzionet përfundimtare dhe gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet në 4 prill 2023.

Shtetasja ruse, Svetlana Timofeeva, e akuzuar për spiunazh nga autoritetet shqiptare, ka kërkuar azil politik në Shqipëri.

Timofeeva, 33 vjeçe nga Rusia, u arrestua më 20 gusht të vitit 2022 së bashku me dy shtetas të tjerë, Mikhail Zorin, 23 vjeç nga Rusia dhe Fedir Aplatov nga Ukraina, pasi tentuan të hynin në ambientet e uzinës së armëve në Gramsh dhe hodhën sprai neuro-paralizues ndaj dy ushtarëve që ruanin objektin ushtarak.

Ajo po mbahet në paraburgim në burgun e grave në Tiranë, ndërsa çështja ndaj saj gjykohet në gjykatën e Elbasanit, pasi zona ku ndodhi ngjarja, Gramshi, përfshihet në këtë qark.

Avokati mbrojtës i shtetases ruse më 10 mars i ka drejtuar kërkesën për azil Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Tiranë. Kërkesa vjen tre muaj pasi Moska kërkoi ekstradimin e saj, pasi akuzohet për “Marrje të paligjshme të informacionit, që përbën sekret shtetëror”.

“Nëse kthehem në Federatën Ruse do të persekutohem për shkak të bindjeve te mia politike”, pretendoi 33-vjeçarja ruse.

Avokati i saj mbrojtës, Isuf Shehu, theksoi se kjo shtetase ruse mund të persekutohet në shtetin e saj.